Atentat me makinë bombë në Kolumbi, shpërthimi shkatërron ndërtesa publike, të paktën 12 të plagosur
Një sulm i ri rus ka goditur qytetin e Zaporizhias në Ukrainën juglindore, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe 40 të plagosur, mes tyre edhe katër fëmijë.
Sulmi u regjistrua gjatë natës, ndërsa objektiv i goditjeve kanë qenë kryesisht zona të banuara. Sipas autoriteteve ukrainase, shpërthimet shkaktuan dëme të konsiderueshme në ndërtesa banimi, banesa private, automjete dhe infrastrukturën e transportit.
Një ndërtesë pesëkatëshe u dëmtua rëndë dhe u shkatërrua pjesërisht, ndërsa një banesë private u shemb plotësisht. Pas sulmit, ekipet e emergjencës nisën operacionet e kërkim-shpëtimit, pasi ekzistonin dyshime se persona mund të kishin mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara.
Sipas guvernatorit rajonal Mykhailo Semikin, të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Mes tyre janë edhe fëmijë, ndërsa disa persona kanë pësuar dëmtime të rënda. Numri i të plagosurve u rrit gradualisht gjatë orëve të para pas sulmit. Fillimisht u raportuan 11 të plagosur, më pas 22 dhe në përditësimin e fundit të autoriteteve rajonale shifra arriti në 40.
Zaporizhia është një prej qyteteve që përballet vazhdimisht me sulmet ruse për shkak të afërsisë me vijën e frontit. Goditja e fundit vjen pas një tjetër sulmi ndaj qytetit, ku një qendër shëndetësore private u godit, duke shkaktuar tre viktima. Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se Rusia mund të përgatitet për sulme të tjera ndaj qyteteve dhe infrastrukturës së vendit. Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimi i dëmeve vijojnë, ndërsa bilanci i sulmit mbetet në përditësim.
Top Channel