E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Mos bëni moral, shefja e SHISH fliste me kriminelët”, Shehi “fëlliq” keq Gonxhen: A ka turp më të madh?
Lajme

“Mos bëni moral, shefja e SHISH fliste me kriminelët”, Shehi “fëlliq” keq Gonxhen: A ka turp më të madh?

Një debat i ashpër mes kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, është zhvilluar në emisionin “Off the Record”. Përplasja ka përfshirë protestat studentore, të kaluarën e drejtuesit të sindikatës së pedagogëve në SHIK, problematikat e qeverisjes, prokurimet publike dhe projektin e inteligjencës artificiale “Diella”.

Shkëndija e debatit u ndez kur Gonxhja iu referua të kaluarës së drejtuesit të sindikatës së pedagogëve, duke e cilësuar si ish-pjesëtar të SHIK-ut të drejtuar nga Bashkim Gazidede. Ministri e përdori këtë argument për të vënë në pikëpyetje përfaqësimin e protestuesve studentorë, ndërsa Shehi reagoi ashpër, duke i kujtuar qeverisë akuzat dhe polemikat që kanë shoqëruar ish-drejtuesen e SHIK-ut për komunikimet e saj të pretenduara me persona të botës së krimit.

“Ti ke gjetur një pedagog që ka qenë ish-shikas, është kryetar sindikate. Këtyre u doli kryetarja e SHIK-ut që fliste gjithë ditën me kriminelët dhe ti përmend SHIK-un. Ju s’duhet ta përmendni litarin në shtëpinë e të varurit”, iu drejtua Shehi ministrit.

Por përplasja kishte nisur më herët, kur Shehi kundërshtoi përpjekjet për të paraqitur protestat si një element që dëmton imazhin e Shqipërisë. Sipas tij, përgjegjësia për reputacionin e vendit nuk u takon qytetarëve që protestojnë, por mënyrës se si qeveriset Shqipëria.

“Kush e turpëron vendin? Qeverisja. Vetëm në këtë vendin tonë e turpërojnë ata që dalin për të protestuar. A ka turp më të madh?”, deklaroi kreu i LZHK-së.

Një tjetër pikë e fortë përplasjesh ishte performanca e Shqipërisë në prokurimet publike. Gonxhja pretendoi se vendi renditet i pari në rajon për përparimin në këtë sektor, duke iu referuar digjitalizimit të procedurave dhe mekanizmave që, sipas tij, kanë rritur transparencën dhe kanë ulur mundësitë për abuzime.

Shehi e hodhi poshtë këtë paraqitje, duke vënë në dyshim raportet e përmendura nga ministri dhe duke ironizuar edhe projektin “Diella”, të cilin e cilësoi si një strukturë qesharake që ka shkaktuar tallje ndërkombëtare.

Përgjigjja e ministrit ishte se problemet me drejtësinë dhe numrin e çështjeve të pazgjidhura në gjykata nuk mund t’i faturohen drejtpërdrejt qeverisë, pasi ekzekutivi nuk ka kompetencë të gjykojë, të arrestojë apo të dënojë qytetarët. Por Shehi i kujtoi se qeveria ka 14 vite në pushtet dhe se, sipas tij, justifikimet për përgjegjësitë institucionale nuk mund të vazhdojnë pafundësisht.

Gonxhja u përpoq gjithashtu të argumentonte se pjesa dërrmuese e problematikave të ngritura nga studentët lidhen me funksionimin e brendshëm të universiteteve dhe jo drejtpërdrejt me ministrinë. Ky qëndrim solli një tjetër kundërpërgjigje nga Shehi, i cili e konsideroi të papranueshme që protestuesit të paragjykohen për shkak të së kaluarës së një drejtuesi sindikate.

Më poshtë, dialogu i plotë i zhvilluar mes Dashamir Shehit dhe Blendi Gonxhes në emisionin “Off the Record”:

Pjesë nga debati Shehi–Gonxhja

Shehi: Kush turpëron vendin? Qeverisja. Vetëm te ky vendi ynë e turpërojnë ata që dalin për të protestuar. A ka turp më të madh?

Gonxhja: Folëm vetëm për 28 Nëntorin.

Shehi: Me çfarë mbushen raportet e Europës, të botës për punët e këqija të Shqipërisë?

Gonxhja: Pse nuk besoni që ka raporte konkrete që ne jemi të parët për prokurimet në rajon? Të parët në rajon për progresin në prokurime.

Shehi: Domethënë që s’bëjmë prokurim fare.

Gonxhja: Jo, domethënë që procesi është përmirësuar aq më shumë dhe aq më mirë. Me raporte konkrete jemi të parët në rajon për procese digjitale dhe transparente që ndihmojnë prokurimet të jenë më të drejta, të jenë më pak abuzive, të jenë më pak subjektive. Pse nuk e besoni këtë gjë?

Shehi: Ky është ky raport, e para e punës. E dyta, bëre Diellën, një strukturë qesharake, u tall gjithë bota. E treta, ne jetojmë në këtë vend. Më thuaj në cilin vend të rëndësishëm është bërë një prokurim. Kur thoni prokurimet, jemi në fund fare.

Gonxhja: Ne kemi vështirësi me stokun e dosjeve dhe të çështjeve në gjykata. Po ju them që qeveria nuk mund të bëhet dot gjykatë. Qeveria nuk arreston. Qeveria nuk dënon.

Shehi: Po sigurisht që ju duhet t’i bëni, se keni 14 vjet. Ju vazhdoni me justifikimin.

Gonxhja: Më pyete në fillim të emisionit, më the çfarë thanë studentët. 80% e problematikave të tyre, jo për t’ia hedhur topin, ishin të universitetit. Ishin pjesë e mosfunksionimit të autonomisë dhe të institucionit të universitetit. […] 80% është e atyre që dolën me në krye shikasin e Gazidedës që është shefi i sindikatës. […] Po të numërosh çështjet e tyre, janë brenda në universitet. Tani ne duhet të bëjmë edhe gjykatën, sipas jush, edhe drejtësinë, edhe SPAK-un, edhe universitetet, edhe akademitë, edhe rektorët e dekanët? I bëjmë të gjitha ne? Ta kthejmë monizëm, të lutem.

Shehi: Ti ke gjetur një pedagog që ka qenë ish-shikas, është kryetar sindikate. Këtyre u doli kryetarja e SHIK-ut, fliste gjithë ditën me kriminelët dhe ti përmend SHIK-un. Ju s’duhet ta përmendni litarin në shtëpinë e të varurit. Atë e paragjykon në mënyrë automatike dhe jo këtë që punon me kriminelin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.