Një turist 46-vjeçar amerikan ka humbur jetën në Tajlandë, pas një përleshjeje fizike me një ish-luftëtar të arteve marciale mikse (MMA), në hollin e hotelit ku po qëndronte. Ngjarja nisi pas një debati për zhurmën në hotelin Tim Place, ku amerikani kishte shkuar për t’u ankuar te recepsioni.
Sipas mediave të huaja, 46-vjeçari u soll në mënyrë agresive dhe kërcënoi punonjësin e recepsionit. Më pas, ai u përfshi në një debat me 39-vjeçarin Frank Eric Marques, një italian me rrip të zi në Jiu-Jitsu brazilian dhe ish-luftëtar MMA, i njohur me nofkën “Frank Tank”. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se konflikti vijoi edhe pasi Marques hyri në ashensor. Amerikani e sfidoi verbalisht dhe, kur dyert po mbylleshin, i hapi ato me forcë, duke e tërhequr 39-vjeçarin jashtë.
Përplasja përfundoi me turistin amerikan të rrëzuar në tokë dhe pa ndjenja. Ai ndërroi jetë, ndërsa Marques qëndroi në vendngjarje deri në mbërritjen e policisë.
Ish-luftëtari u arrestua nën dyshimin për vrasje të paqëllimshme, ndërsa pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Policia konfirmoi se 39-vjeçari kishte përvojë në sportet luftarake. Punonjësja e hotelit deklaroi se Marques ishte klient i rregullt dhe nuk kishte shkaktuar më parë probleme. Sipas saj, turisti amerikan ishte tepër agresiv dhe kishte dëmtuar edhe dyert e ashensorit gjatë përpjekjes për t’i hapur ato.
