Heqja nga kalendari i akcizës nuk ndalon tregtimin e qeskave me nikotinë

Nga Fatmir Kazazi, konsulent fiskal
Arsyeja e këtij shkrimi është një gabim, në gjykimin tim, i bërë gjatë shqyrtimit të paketës fiskale 2027 në Komisionin e Ekonomisë: heqja nga kalendari i akcizës e produktit “qeska me nikotinë pa duhan”, i njohur në treg si “nicotine pouches”.
Ngatërrimi i këtij produkti me duhanin për përdorim oral rrezikon të krijojë paqartësi në trajtimin tatimor dhe të cenojë të ardhurat buxhetore, pa përbërë në vetvete ndalim të importit apo të tregtimit të tij.
Projektligji për ndryshimet në ligjin për akcizat, i hartuar nga Ministria e Financave dhe i paraqitur në Kuvend nga Këshilli i Ministrave, parashikon një kalendar për rritjen graduale të akcizës mbi duhanin, cigaret dhe produkte të lidhura me to për periudhën 2027–2033. Një kalendar i tillë u jep operatorëve ekonomikë mundësi të planifikojnë aktivitetin, lehtëson administrimin doganor dhe ndihmon në parashikimin e të ardhurave buxhetore.
Në versionin e projektligjit të paraqitur për miratim, kalendari përfshin edhe qeskat me nikotinë, me normat e mëposhtme të akcizës. [5]
Data e zbatimit Akciza në lekë/kg
1 janar 2027 3 500
1 janar 2028 4 200
1 janar 2029 5 040
1 janar 2030 6 048
1 janar 2031 7 258
1 janar 2032 8 710
1 janar 2033 10 450
Dallimi që duhet ruajtur në ligj
Në Komisionin e Ekonomisë është pranuar propozimi për të hequr nga akciza produktet e duhanit për përdorim oral, me argumentin se vendosja e tyre në treg ndalohet nga legjislacioni për mbrojtjen e shëndetit. Problemi lind kur ky arsyetim shtrihet edhe te qeskat me nikotinë që nuk përmbajnë duhan.
Neni 9/1 i ligjit nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i shtuar me ligjin nr. 92/2024, ndalon vendosjen në treg të duhanit për përdorim oral. Ndërsa neni 3, pika 25, e përkufizon këtë kategori duke iu referuar produkteve të prodhuara tërësisht ose pjesërisht prej duhanit. Pra, përkufizimi nuk vendos vetë ndalimin; ai përcakton produktet mbi të cilat zbatohet ndalimi i nenit 9/1. [1]
Qeskat me nikotinë pa duhan janë produkte për përdorim oral që përmbajnë nikotinë, por jo duhan. Nga leximi i përbashkët i këtyre dispozitave, vlerësoj se ato nuk përfshihen në ndalimin e posaçëm për duhanin për përdorim oral. Ky dallim duhet të pasqyrohet qartë edhe në kalendarin e akcizës.
Edhe neni 17 i Direktivës 2014/40/BE trajton ndalimin e duhanit për përdorim oral, sipas përkufizimit të nenit 2, pika 8. Ky ndalim nuk shtrihet si i tillë te qeskat me nikotinë pa duhan. [2]
Në SHBA, më 16 janar 2025, FDA autorizoi tregtimin e 20 produkteve specifike ZYN. Në vlerësimin e saj, agjencia identifikoi rrezik më të ulët për disa sëmundje krahasuar me cigaret dhe shumicën e produkteve të duhanit pa tym, si dhe përfitime të mundshme për të rriturit që kalojnë plotësisht te këto produkte. Autorizimi lidhet vetëm me produktet e shqyrtuara dhe nuk nënkupton se ato janë të padëmshme. [3]
Në Shqipëri, projektligji i ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe produktet e lidhura me to”, i publikuar për konsultim më 18 nëntor 2026, propozon në nenin 22 ndalimin e vendosjes në treg të qeskave që përmbajnë më shumë se 4 mg nikotinë. Ai nuk parashikon ndalim të përgjithshëm të kësaj kategorie. Bëhet fjalë për një propozim në konsultim, jo për një dispozitë në fuqi. [4]
Akciza dhe lejimi i tregtimit janë çështje të ndryshme.
Përcaktimi i akcizës nuk përbën autorizim për vendosjen e një produkti në treg dhe nuk shmang kufizimet e legjislacionit shëndetësor. Ai përcakton detyrimin tatimor që administrohet nga organet doganore. Po kështu, heqja e një produkti nga kalendari i akcizës nuk e ndalon automatikisht importin, tregtimin apo konsumin e tij.
Për këtë arsye, ndryshimi i propozuar (heqja nga kalendari) duhet shqyrtuar me kujdes sepse pasoja fiskale varet nga formulimi përfundimtar: nëse produkti do të jetë normalisht në kalendarin rritës të akcizës siç është propozuar, apo nëse produkti mbetet pa një normë të zbatueshme akcize. Në të dyja rastet, ligji duhet të shmangë paqartësitë për operatorët dhe administratën doganore.
Mbajtja e qeskave me nikotinë pa duhan në një kategori të përcaktuar qartë, me norma dhe afate të shprehura në ligj, siguron trajtim tatimor të parashikueshëm për produktet që lejohen të tregtohen. Përkundrazi, një boshllëk ose paqartësi në trajtimin e tyre mund të cenojë mbledhjen e të ardhurave dhe kontrollin e tregut. Kufizimet shëndetësore duhet të zbatohen sipas legjislacionit përkatës, pavarësisht detyrimit për akcizë.
Nuk po kërkoj lehtësim të kufizimeve shëndetësore, por saktësi në trajtimin ligjor dhe fiskal të dy kategorive të ndryshme. Në gjykimin tim, qeskat me nikotinë pa duhan duhet të mbeten në kalendarin e akcizës, ndërsa ligjshmëria e tregtimit të tyre të vlerësohet sipas rregullave shëndetësore në fuqi.
Duke falënderuar Monitor për hapësirën e këtij diskutimi, shpresoj që deputetët ta rishqyrtojnë këtë çështje përpara miratimit përfundimtar. Një saktësim i tekstit tani do të shmangte paqartësi në zbatim dhe do të mbronte si sigurinë juridike të operatorëve, ashtu edhe interesin fiskal të shtetit.
Tiranë, nëntor 2026
Referenca
[1] Ligji nr. 9636, datë 6.11.2006, i ndryshuar, neni 3, pika 25, dhe neni 9/1. Teksti i përditësuar.
[2] Direktiva 2014/40/BE, neni 2, pika 8, dhe neni 17.
RIVM, rregullat për shitjen e qeskave me nikotinë në Holandë.
[3] FDA, autorizimi i tregtimit të 20 produkteve ZYN, 16 janar 2025.
[4] Projektligji shëndetësor, neni 22; konsultimi publik i hapur më 18 nëntor 2026.
[5] Projektligji për akcizat, shtojca nr. 1, faqet 7–8.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









