Aktualitet

Me armë zjarri në automjet, pranga 4 personave në Tiranë/Mes tyre 2 ushtarakë e 1 punonjës i Gardës!

Katër persona ranë në prangat e Policisë Tiranë, u kapën me armë zjarri në një automjet të blinduar. Mes të arrestuarve janë dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës. Ngjarja u regjistrua pranë “Arenës Kombëtare”. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën një pistoletë të fshehur në një çantë të zezë, në pjesën e pasme të mjetit.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kanë ndaluar për kontroll një automjet tip “Audi”, në të cilin udhëtonin katër shtetas.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët kanë gjetur një pistoletë të fshehur në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të mjetit. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet edhe një tjetër armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, policia ka arrestuar në flagrancë katër shtetasit:

R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës;
Sh., 28 vjeç;
M., 42 vjeç, ushtarak;
S., 46 vjeç, ushtarak.

Ata akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Përveç armës së gjetur në automjet, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar edhe një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga uniformat blu. Sipas policisë, kjo pajisje dyshohet se mbahej nga shtetasi I.Sh.

Ndërkohë, për pistoletën e gjetur gjatë kontrollit fizik të punonjësit të Gardës së Republikës, verifikimet po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të secilit prej të arrestuarve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.