E martë, 24 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 5 sekonda më parë
Politikë

Integrimi europian, debate në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi: Mazhoranca nuk e ka seriozisht, ka zhbërë çdo institucion

Procesi i integrimit europian dhe raport-progresi i Komisionit Europian për vitin 2026 kanë shkaktuar debate në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se nuk e ka seriozisht procesin e integrimit dhe se po shkel të drejtat e opozitës, duke mos respektuar Rregulloren e Kuvendit.

Bardhi ngriti fillimisht shqetësimin për mosmbledhjen në kohë të Konferencës së Kryetarëve, pas kërkesës së opozitës të depozituar më 16 nëntor. Sipas tij, neni 98 i Rregullores parashikon që kryetari i Kuvendit duhet ta mbledhë këtë konferencë brenda tre ditëve.

“Kjo tregon se sa i respektoni ju të drejtat e opozitës dhe sa seriozisht e merrni raportin e Komisionit Europian. Nëse kishte një gjë që ishte krejt evidente, është se ju dhe nën drejtimin tuaj parlamentarizmi në këtë vend është hedhur në erë. Nuk ka kontroll parlamentar, nuk respektohen të drejtat e opozitës, procesin ligjvënës e bëni si të dëshironi ju”, deklaroi Bardhi.

Reklamë

Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën për kapjen politike të institucioneve dhe për trajtimin e Kuvendit si pronë të partisë në pushtet.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi u ndal edhe te raport-progresi i Komisionit Europian, duke kërkuar që vërejtjet e ngritura në të, të trajtohen si një dokument pune dhe jo thjesht si një dokument politik.

Sipas tij, shqetësimet e përsëritura nga një vit në tjetrin tregojnë se një sërë problematikash nuk janë adresuar nga institucionet shqiptare.

Një prej çështjeve që ai veçoi ishte moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht vendimi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

“Është e papranueshme që për të disatën herë Komisioni Europian i kujton këtij Kuvendi detyrimin që ka për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat injorohen kur nuk i interesojnë mazhorancës. Kanë kaluar pesë muaj që ky Kuvend nuk zbaton një vendim që nuk ka nevojë as për një analizë të thelluar. Ai kërkon vetëm që të respektohet një e drejtë e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor”, u shpreh Bardhi.

Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD-së i bëri thirrje drejtuesve të Kuvendit të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të respektojnë të drejtat e opozitës.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.