Botë e Çuditshme

Po kërkonte dhëmbë peshkaqeni në plazh, studentja zbulon rastësisht një armë 4 500-vjeçare!

Një shëtitje e zakonshme në kërkim të dhëmbëve të peshkaqenëve është shndërruar në një zbulim të jashtëzakonshëm arkeologjik për një studente biologjie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Brooklyn Rolph, studente në Universitetin Mary Baldwin, ndodhej në një ekspeditë katërditore me profesorët dhe kolegët e saj në bregdetin lindor të Virxhinias, kur zbuloi një objekt mijëravjeçar. Studentja kishte vetëm 40 minuta kohë për të eksploruar zonën, për shkak të baticës dhe kushteve të vështira atmosferike.

Teksa kërkonte dhëmbë peshkaqenësh mes guaskave dhe gurëve, vëmendjen ia tërhoqi një objekt i mprehtë pranë ujit. Ajo e mori menjëherë dhe vrapoi drejt profesorëve, pasi batica po ngrihej dhe rrezikonte ta mbulonte.

Zbulimi rezultoi të ishte një majë shtize prej guri, rreth 15 centimetra e gjatë, me një vjetërsi të vlerësuar nga 3 000 deri në 4 500 vjet.

“Profesorët ishin jashtëzakonisht të emocionuar, mendoj se më shumë se unë”, tregoi studentja. Profesori Paul Callo e cilësoi zbulimin mbresëlënës, duke theksuar se Brooklyn mund të ketë qenë personi i parë që e preku objektin pas mijëra vjetësh.

Për shkak se ishulli është pjesë e një zone natyrore të mbrojtur, studentja nuk mund ta mbante objektin. Maja e shtizës iu dorëzua autoriteteve përkatëse për studime të mëtejshme.

Pas analizave, arkeologët përcaktuan se bëhej fjalë për një majë shtize të tipit Lehigh/Koens-Crispin, një vegël prehistorike e përdorur nga popujt indigjenë të Amerikës së Veriut.