Nafta bie në nivelin më të ulët të tre muajve, ndërsa rritet oferta globale

Çmimet e naftës ranë të martën në nivelin më të ulët të tre muajve, ndërsa shtimi i furnizimeve globale dhe pritshmëritë për një tepricë të ofertës në treg zbehën shqetësimet për ndërprerjet e transportit në Lindjen e Mesme.
Nafta Brent ra me 0.8%, në 88.62 dollarë për fuçi, duke prekur nivelin më të ulët që prej 27 gushtit. Nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 79.53 dollarë për fuçi, gjithashtu në rënie me 0.8%, pasi preku nivelin më të ulët që prej 10 gushtit.
Rënia pasoi humbjet e ndjeshme të së hënës, kur Brent e mbylli seancën me një zhvlerësim prej 3.46%, ndërsa nafta amerikane ra me 3.88%.
Sipas Reuters, përmirësimi i furnizimit nga Lindja e Mesme, rifillimi i aktivitetit të një naftësjellësi në Libi dhe pritshmëritë për rritjen e rezervave po ushtrojnë presion mbi çmimet.
Giovanni Staunovo, analist në UBS, tha se tregjet po reflektojnë një reduktim të rrezikut gjeopolitik afatshkurtër, ndërsa përdorimi i rezervave strategjike ka ndihmuar në ruajtjen e furnizimit, pavarësisht eksporteve më të ulëta nga rajoni dhe kërkesës më të lartë nga Kina.
Në Libi, Korporata Kombëtare e Naftës konfirmoi rifillimin e transportit të naftës nëpërmjet tubacionit Sharara, pas një ndërprerjeje të aktivitetit.
Ndërkohë, Kina dhe India pritet të regjistrojnë importe rekord të naftës ruse këtë vit, duke kompensuar një pjesë të mungesës së furnizimeve të shkaktuar nga konflikti me Iranin. Përjashtimet e përkohshme nga sanksionet amerikane ndaj naftës ruse u kanë mundësuar të dyja vendeve të zgjerojnë rrjetin e furnizuesve.
Deutsche Bank vlerëson se rritja e rezervave globale të hidrokarbureve gjatë tetorit nënkupton një tepricë oferte prej rreth 1.7 milionë fuçish në ditë. Banka vlerëson se tregu po shkon drejt një situate ku oferta tejkalon kërkesën, megjithëse ndërprerjet e furnizimeve mund ta vonojnë këtë proces.
JPMorgan parashikon që çmimet e naftës të zbresin nën 80 dollarë për fuçi gjatë gjysmës së parë të vitit 2027, mbështetur në pritshmëritë për zgjerimin e prodhimit në Lindjen e Mesme, SHBA dhe vende të tjera të kontinentit amerikan.
Megjithatë, tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit dhe kufizimet e transportit në Ngushticën e Hormuzit mbeten burime pasigurie për tregun. Analistët e ANZ paralajmëruan se rezervat e disponueshme mbeten të kufizuara, pavarësisht pritshmërive për normalizimin e furnizimeve.
Vëmendja e investitorëve po zhvendoset gjithashtu drejt takimeve të vendeve të OPEC+, të planifikuara për 29 nëntor, ku pritet të diskutohet politika e prodhimit për vitin 2027.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









