Prokurorja Manjola Kajana kërkoi deklarimin fajtor të ish-ligjvënësit për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Vendimi pritet të shpallet më 9 dhjetor, pas konkluzioneve të mbrojtjes.
SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin Asllan Dogjani, dënim i cili, sipas kërkesës së prokurorisë, të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Prokurorja Manjola Kajana kërkoi që Dogjani të shpallet fajtor për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Seanca gjyqësore është shtyrë për më 9 dhjetor. Pas paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga mbrojtja, gjyqtari Bib Ndreca pritet të shpallë vendimin për çështjen.
Ish-deputeti Asllan Dogjani u kallëzua nga biznesmeni Ilirjan Çela për çështjen e blerjes së një apartamenti me vlerë 134 mijë euro në vitin 2006.
Sipas pretendimeve të kallëzuesit, Dogjani e kishte blerë apartamentin duke paguar shumën përkatëse dhe jo duke e përfituar atë në këmbim të shërbimeve të konsulencës juridike që, sipas deklarimeve të ish-ligjvënësit, i kishte ofruar ndërtuesit. Vendimi përfundimtar i takon gjykatës.


