Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton Sistemin Unik të Gjobave: Çdo vendim do të jetë i gjurmueshëm, inspektorët do të pajisen me kamera trupi



Kryeministri Edi Rama deklaroi se me prezantimin e Sistemit Unik të Gjobave, procesi i vendosjes së gjobave do të jetë plotësisht i gjurmueshëm, me një bazë të unifikuar ligjore dhe identifikimin e çdo punonjësi që merr vendimin për gjobitjen.

Gjatë aktivitetit të prezantimit të sistemit, Rama tha se drejtuesit e institucioneve do të kenë mundësi të monitorojnë në kohë reale proceset dhe veprimtarinë e punonjësve të tyre. Sipas tij, përmes kodeve të përcaktuara do të ndiqet aktiviteti i inspektorëve në terren dhe sjellja e efektivëve të policisë në raport me qytetarët.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se hapi i ardhshëm do të jetë krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjobave. Ai njoftoi se në një fazë të mëvonshme, punonjësit e policisë dhe inspektorët e terrenit do të pajisen me kamera trupi, të cilat do të jenë vazhdimisht aktive dhe do të integrohen në sistemin e inteligjencës artificiale të ngritur në qendrën e monitorimit.

Sipas Ramës, ky sistem do të mundësojë edhe vlerësimin në kohë reale të situatave kur nevojitet ndërhyrje, ndihmë apo mbështetje.

“E rëndësishme të nënvizohet është se nuk ka më një proces gjobitje pa gjurmueshmëri. Një rrjedhë e njëjtë, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, që jep mundësi për drejtuesit e institucioneve të shohin si në hartë të gjithë proceset dhe sjelljen e burimeve të tyre njerëzore”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se projekti për pajisjen e punonjësve të policisë dhe inspektorëve me kamera trupi do të nisë së shpejti, ndërsa theksoi se sistemi synon të ndryshojë marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve.