E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Kam këmbën e thyer, nuk kërkoj botox”, Veliaj refuzon të paraqitet në GJKKO, SPAK kundër shtyrjes së gjyqit
Lajme

“Kam këmbën e thyer, nuk kërkoj botox”, Veliaj refuzon të paraqitet në GJKKO, SPAK kundër shtyrjes së gjyqit

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), është shoqëruar me debate mes mbrojtjes dhe përfaqësuesve të SPAK, pasi në gjykatë është lexuar një deklaratë e të pandehurit, i cili ka shpjeguar arsyet e mungesës së tij fizike në sallën e gjyqit.

Përmes një letre, Veliaj ka pretenduar se dëmtimi i rëndë i këmbës dhe nevoja për ndërhyrje kirurgjikale nuk e lejojnë të marrë pjesë në seancë. Ai ka theksuar se dëshiron të jetë i pranishëm në proces, por aktualisht nuk është në gjendje ta bëjë këtë për shkak të problemeve shëndetësore.

Në deklaratën e lexuar para trupit gjykues, Veliaj është shprehur se do t’i vërë në dispozicion gjykatës dokumentacionin mjekësor përmes mbrojtjes së tij.

“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore”, thuhet në deklaratën e tij.

“Nuk kërkoj botox, dua të më operojë mjeku që zgjedh familja ime”

Një pjesë e deklaratës së Veliajt i është kushtuar edhe mënyrës se si duhet të realizohet trajtimi i tij mjekësor. Kryebashkiaku ka kërkuar që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet në një spital të përzgjedhur nga familja e tij dhe nga një mjek për të cilin familjarët të kenë besim.

Ai ka kundërshtuar që vendimmarrja për shëndetin dhe ndërhyrjen kirurgjikale të jetë në duart e personave të tjerë, duke përdorur edhe një krahasim ironik për të sqaruar se nuk po kërkon trajtime estetike, por kujdesin e nevojshëm mjekësor.

“Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime”, është shprehur ai.

Më tej, Veliaj ka ngritur shqetësime edhe për procedurën e anestezisë, duke kërkuar që vendimmarrja për këtë proces të mos bëhet pa marrë parasysh kërkesat e tij.

“Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, ka deklaruar kryebashkiaku.

Përmes kësaj letre, ai i ka kërkuar gjykatës të marrë masa lidhur me trajtimin shëndetësor, duke respektuar kërkesën e tij dhe të familjes për përzgjedhjen e mjekut dhe institucionit ku do të kryhet operacioni.

Plarent Ndreca kërkon ndërprerjen e seancës: Nuk më lejuan të takoj Veliajn në burg

Pas leximit të deklaratës, avokati Plarent Ndreca ka kërkuar që seanca të mos vijojë, duke argumentuar se nuk mund të ushtrojë siç duhet mbrojtjen pa u konsultuar paraprakisht me klientin e tij.

Ndreca ka deklaruar se kishte tentuar të takonte Veliajn një ditë më parë në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, por nuk ishte lejuar nga administrata e burgut.

Sipas avokatit, atij nuk i ishin dhënë as shpjegime për arsyet e pengimit të takimit, ndërsa theksoi se kishte disa çështje që duhej t’i diskutonte dhe konfirmonte drejtpërdrejt me të pandehurin përpara vijimit të procesit.

“Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. E kam të pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet t’i konfirmoj me të”, ka deklaruar Ndreca.

Avokati ka pretenduar gjithashtu se mbrojtja i kishte paraqitur gjykatës kronologjinë e problemeve shëndetësore të Veliajt, duke kërkuar një vendimmarrje për atë që e cilësoi si një situatë çnjerëzore.

Gjatë diskutimeve në sallën e gjyqit, gjykata e ka pyetur avokatin nëse Veliaj ishte plotësisht i pamundur për të lëvizur.

Ndreca ka sqaruar se klienti i tij lëviz me paterica për shkak të dëmtimit të këmbës.

SPAK kundërshton kërkesën e mbrojtjes: Nuk provohet pamundësia për të marrë pjesë në gjyq

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Ols Dado, ka kërkuar vijimin e seancës gjyqësore, duke kundërshtuar pretendimin e mbrojtjes se Veliaj nuk mund të paraqitet fizikisht në gjykatë.

Sipas prokurorisë, informacionet e administruara për gjendjen e tij nuk provojnë se ai ndodhet në kushtet e pamundësisë për të marrë pjesë në proces.

“Prokuroria i ka informacionet e veta për këtë situatë. Duhet të vijojë seanca, nuk provohet që e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë gjyqësore”, është shprehur Dado.

Edhe prokurori Altin Dumani ka kundërshtuar argumentet e mbrojtjes për shtyrjen e mëtejshme të procesit. Ai ka vënë në dukje se në deklaratën e Veliajt nuk shprehej një kërkesë që seanca të mos zhvillohej dhe se mbrojtjes i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’u konsultuar me klientin.

Dumani ka kujtuar se në seancën e mëparshme procesi ishte shtyrë pikërisht për t’i krijuar mundësinë avokatit të komunikonte me Veliajn, duke argumentuar se një javë ishte kohë e mjaftueshme për këtë qëllim.

Ai ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për zvarritjen e procesit, duke theksuar se çështja është dërguar për gjykim që në shtator të vitit 2025 dhe se deri më tani janë regjistruar shtyrje të shumta.

“Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. Ne e kemi dërguar çështjen që në shtator 2025 dhe akoma jemi këtu. Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK-u. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, ka deklaruar Dumani.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.