Aktualitet

Kryeministri Rama prezanton Sistemin Unik të Gjobave!

Kryeministri Edi Rama prezantoi Sistemin Unik të Gjobave, platformë të re digjitale që synon të rrisë transparencën dhe gjurmueshmërinë e procedurave administrative, duke i dhënë fund praktikës së gjobave të vendosura në letër.

Përmes sistemit e-Gjoba, çdo kundërvajtje do të pajiset me një numër unik identifikimi dhe një bazë të qartë ligjore. Qytetarët do të njoftohen për gjobat përmes platformës e-Albania dhe mesazheve në telefon ndërsa do të kenë mundësi t’i kontrollojnë, paguajnë dhe apelojnë ato në mënyrë digjitale.

Gjatë prezantimit, Rama theksoi se të gjitha gjobat do të regjistrohen në një databazë të përbashkët, ku do të mund të ndiqet statusi i tyre, nëse janë aktive, të paguara apo të ankimuara. Sistemi do të mundësojë gjithashtu identifikimin e punonjësve që vendosin gjobat, duke garantuar gjurmueshmërinë e çdo veprimi.

Kjo sjell transformimin dhe modernizimin e administratës dhe mbylljen e një epoke të gjatë të gjobave të vendosura mbi copa letre. Të gjitha institucionet mund të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobave përmes mjeteve të teknologjisë digjitale.

Kjo sjell, në radhë të parë, njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës e-Albania, e cila njëkohësisht dërgon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit.

Të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë, përmes mesazheve në e-Albania, gjobat që ka marrë. Kemi edhe kategorizimin e gjobave në databazë, gjë që u mundëson institucioneve apo Inspektoratit të Përgjithshëm të shohin nëse ato janë aktive, të paguara apo të apeluara.

Do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë.

E rëndësishme është që nuk do të ketë një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Garantohet një rrjedhë e qartë, një numër unik, një bazë ligjore e përcaktuar për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat. Kjo u jep mundësi institucioneve të shohin si në një hartë të gjitha proceset dhe, po ashtu, të menaxhojnë të gjitha burimet e tyre njerëzore.

Rama bëri të ditur edhe krijimin e Regjistrit Kombëtar të Gjobave, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të nisë edhe zbatimi i pajisjes së punonjësve të policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi.

Ky mekanizëm, sipas Ramës, synon të mundësojë ndjekjen në kohë reale të aktivitetit të punonjësve në terren, të dokumentojë sjelljen e tyre në raport me qytetarët dhe të evidentojë situatat kur nevojitet mbështetje apo ndërhyrje.

Me sistemin e ri të gjobave dhe projektin e kamerave të trupit, qeveria synon të digjitalizojë procesin e ndëshkimeve administrative, të rrisë kontrollin mbi punonjësit në terren dhe të forcojë transparencën në marrëdhënien mes institucioneve dhe qytetarëve.