Ali Kadyrov, djali 19-vjeçar i udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov, ka marrë nënshtetësinë serbe pasi kishte ndryshuar zyrtarisht mbiemrin në Musayev, sipas një hetimi të Fondacionit Kundër Korrupsionit (FBK), të themeluar nga opozitari rus Alexei Navalny.

Sipas hetimit, Ali Kadyrov e ndryshoi mbiemrin në janar të vitit 2025. Vetëm gjashtë muaj më vonë, ai mori shtetësinë serbe përmes një procedure të thjeshtuar, e cila zbatohet për personat që kanë dhënë “kontribut të veçantë” për vendin.


Megjithatë, mbetet e paqartë se cilat shërbime i ka ofruar Serbisë djali i udhëheqësit çeçen, transmeton Telegrafi.

Hetuesit e FBK-së zbuluan se, pas ndryshimit të mbiemrit, ai ka kryer më shumë se 100 udhëtime jashtë vendit, kryesisht drejt Dubait.

Pasaporta serbe u mundëson mbajtësve të saj të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

Sipas hetimit, edhe anëtarë të tjerë të familjes Kadyrov përdorin mbiemrin Musayev dhe udhëtojnë me avionin privat të familjes drejt Dubait, Turqisë dhe Maldiveve. /Telegrafi/