Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Erion Veliajt për kryerjen në Tiranë, në një spital të zgjedhur prej tij, të operacionit në këmbën e krisur.
GJKKO-ja thotë se kërkesa nuk ka bazë ligjore për t’u shqyrtuar prej saj dhe kompetenca i përket Drejtorisë së Burgjeve.
Avokati Plarent Ndreca kërkoi shtyrjen e seancës duke deklaruar se nuk ishte lejuar të konsultohej me Erion Veliajn, për të cilin tha se nuk e kanë lejuar dje ta takojë.
Prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan vijimin e gjyqit. Dado tha se nuk ka prova që Veliaj nuk mund të marrë pjesë në seancë, ndërsa Dumani theksoi se vetë Veliaj nuk e kishte kushtëzuar vijimin e saj në letrën drejtuar gjykatës.
Në dalje të GJKKO-së, Ndreca deklaroi se do të jetë familja që do të vendosë për mjekun që do të kryejë operimin e klientit të tij. Ai tha se nuk i takon prokurorisë që të caktojë mjekun, ndërsa shtoi se spitali Memorial i Fierit nuk i plotëson kushtet për të kryer operacionin.
Uroj që mos të jetë sekret shtetëror vendimi i ri. Nuk e vendosin prokurorët se ku do operohet Veliaj, por familja. Duhet të ndiqet nga mjeku i zgjedhur. Nëse mjeku i zgjedhur nga familja do të na sugjerojë spitalin e Traumës, ne do pranojmë.