Seanca e parë paraprake për dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë do të mbahet më 11 dhjetor, në orën 10:00.
Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do t’i kthehet SPAK-ut për plotësim të hetimeve.
Dosja përfshin 10 tenderë me vlerë totale rreth 400 milionë euro pa TVSH, për të cilët SPAK pretendon se janë manipuluar. Mes tyre janë Tuneli i Llogarasë, shtatë lotet e Unazës së Tiranës, rruga Porto-Romano–Durrës dhe rikonstruksioni i godinës së Albcontrol. Për Tunelin e Llogarasë, prokuroria llogarit një dëm ekonomik prej rreth 80 milionë eurosh.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë në nëntë raste, korrupsion në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Këto të fundit lidhen me dy vila të sekuestruara në Palasë dhe Dhërmi, me vlerë totale rreth 1.8 milionë euro.












