JD Vance nën hetim nga Senati, dyshohet se favorizoi kompaninë e naftës “Vitol”

Një hetim në Senatin amerikan ka vënë në qendër të vëmendjes zëvendëspresidentin JD Vance, për dyshimet se mund të ketë përdorur pozicionin e tij për të favorizuar kompaninë gjigante të tregtimit të naftës, Vitol, në sigurimin e një kontrate fitimprurëse me Venezuelën.
Sipas Reuters, hetimi synon të zbardhë nëse Vance ka ndikuar në dhënien e kësaj kontrate, pas raportimeve për një takim të tij me drejtuesin e Vitol, John Addison, në dhjetor të vitit 2025, pak kohë përpara ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë dhe kapjes së Nicolas Maduros.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, gjatë takimit është diskutuar se sa shpejt mund të shitej nafta venezueliane në rast se Shtetet e Bashkuara do të merrnin kontrollin e burimeve energjetike të vendit.
Senatorja demokrate Maggie Hassan i ka kërkuar Vance të dorëzojë deri më 14 dhjetor dokumente dhe komunikime që lidhen me takimet e pretenduara dhe kontaktet me kompaninë.
Dyshimet shtohen nga fakti se Addison kishte qenë një mbështetës financiar i hershëm i Vance, ndërsa pas operacionit amerikan, Vitol dhe një kompani tjetër morën licenca të posaçme për tregtimin e naftës venezueliane, duke përfituar qindra miliona dollarë.
Megjithatë, si Vance, ashtu edhe Addison kanë mohuar se takimi i pretenduar ka ndodhur.
Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta.
Hetimi pritet të hedhë dritë mbi mënyrën se si u sigurua kontrata dhe nëse pati ndikim politik në një marrëveshje me vlerë të konsiderueshme ekonomike.




