Nga Gideon Rachman - FT/
Samiti i quajtur “Jalta 2.0”, i mbajtur në Shenzhen mes presidentëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, ishte sa i parëndësishëm aq edhe shqetësues. Nuk u arrit asnjë marrëveshje me rëndësi, por vetë takimi përcolli një mesazh ogurzi. Presidenti i SHBA-së, që supozohet të jetë “udhëheqësi i botës së lirë”, e përshkroi Vladimir Putinin si mikun e tij. Më pas, pas kthimit në Amerikë, Donald Trump sulmoi vendin që duket se e konsideron armikun e vërtetë: Kanadanë.
E gjithë kjo ngjarje dukej sikur ishte organizuar për të vërtetuar qëndrimin e kryeministrit kanadez, Mark Carney. Në fjalimin e tij të rëndësishëm në Davos, në fillim të këtij viti, ai u bëri thirrje “fuqive të mesme” të bashkëpunojnë për t'u çliruar nga varësia e rrezikshme ndaj fuqive të mëdha që ndjekin interesat e tyre në kurriz të të tjerëve.
Që nga takimi në Davos, Carney është përpjekur ta kthejë planin e bashkëpunimit mes fuqive të mesme në realitet. Kanadaja i është bashkuar skemës së re të Bashkimit Europian për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe ka shprehur interesin për të kërkuar statusin e “anëtarit të asociuar” të BE-së. Kanadezët kanë negociuar gjithashtu një marrëveshje tregtare me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), ndërsa kanë nënshkruar marrëveshje të tjera të reja me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Ekuadorin.
Siç thekson Carney, rreziku i mbështetjes te SHBA-ja u bë veçanërisht i dukshëm kur Ukrainës iu kufizua qasja në Starlink, sistemin satelitor që është bërë thelbësor për aftësitë luftarake të Kievit. Në përgjigje të kësaj situate, kryeministri kanadez njoftoi se do të shtonte përpjekjet për të zhvilluar kapacitete satelitore jashtë kontrollit amerikan.
Bashkëpunimi mes fuqive të mesme ka dhënë tashmë disa rezultate konkrete. Pas tërheqjes së financimit amerikan, vendet europiane ndërhynë për t'i siguruar Ukrainës mbështetjen financiare që i nevojitet. Gjithashtu, ka një gatishmëri më të madhe për të bashkëpunuar në projekte të mbrojtjes dhe teknologjisë, siç është avioni i ri luftarak që po zhvillohet bashkërisht nga Britania e Madhe, Japonia dhe Italia.
Megjithatë, argumentet në favor të bashkëpunimit mes fuqive të mesme duhet të shoqërohen edhe me një dozë realizmi. Pavarësisht arritjeve, ka sektorë jetikë ku këto vende do ta kenë shumë të vështirë të çlirohen nga varësia prej SHBA-së dhe Kinës. Këtë sfidë e ilustrojnë tri fusha: teknologjia, energjia dhe diplomacia.
Fuqitë e mesme, si vendet europiane, Kanadaja, Australia dhe të tjera, janë tashmë shumë të varura nga teknologjia amerikane. Një pjesë e madhe e shërbimeve digjitale që përdoren në Europë ofrohen nga kompani amerikane. Mjafton të përmendim emra si Google, Amazon dhe Microsoft, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë.
Kjo varësi pritet të rritet edhe më shumë me zhvillimin e inteligjencës artificiale (IA). SHBA-ja dhe Kina dominojnë zhvillimin e kësaj teknologjie dhe nuk duket se vendet europiane, Japonia apo shtete të tjera kanë shumë mundësi t'i arrijnë.
Kapitali dhe fuqia kompjuterike që kanë në dispozicion kompanitë kryesore amerikane të IA-së janë shumë më të mëdha se ato të konkurrentëve të tyre ndërkombëtarë, me përjashtim të kompanive kineze. Mistral, kompania franceze që shpesh cilësohet si më e avancuara në Europë në këtë fushë, ka zhvilluar modelin e vet të madh gjuhësor. Së fundmi, kompania u vlerësua me rreth 24 miliardë dollarë. Në krahasim, Anthropic, me seli në Silicon Valley, u vlerësua me 1.5 trilion dollarë kur doli në bursë javën e kaluar.
Ndërsa inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për ekonominë globale, varësia e fuqive të mesme nga dy superfuqitë e kësaj teknologjie, SHBA-ja dhe Kina, mund të thellohet edhe më shumë, pavarësisht përpjekjeve të Carney-t dhe të tjerëve.
Kanadaja është në një pozitë të favorshme për sa u përket burimeve të veta energjetike. Por varësia e Europës, Japonisë dhe vendeve të tjera nga burimet e jashtme të energjisë është bërë veçanërisht e dukshme. Fillimisht lufta në Ukrainë dhe më pas lufta në Iran kanë kufizuar furnizimin me naftë dhe gaz natyror.
Këto zhvillime e kanë bërë Europën edhe më të varur nga lëndët djegëse fosile që furnizohen nga SHBA-ja. Mënyra më e mirë për ta ulur këtë varësi është kalimi drejt energjisë së rinovueshme. Por edhe ky ndryshim krijon një varësi tjetër, këtë herë nga Kina, e cila është prodhuesja kryesore në botë e mineraleve të rralla, baterive, paneleve diellore dhe turbinave të erës.
Pastaj është edhe problemi diplomatik. Fuqitë e mesme kanë shumë interesa të përbashkëta, por janë gjithashtu shtete të veçanta, që mbrojnë me këmbëngulje dinjitetin dhe të drejtat e tyre sovrane.
Aktualisht, vendet europiane po kërkojnë të kenë një vend në tryezën e negociatave për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Por ndërsa SHBA-ja, Kina, Rusia dhe Ukraina përfaqësohen secila nga një president ose ministër i jashtëm, europianët propozojnë një ekip negociatorësh që do të përfshinte pesë vendet kryesore: Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Poloninë dhe Italinë, si dhe Komisionin Europian dhe Këshillin Europian. Madje, ndoshta edhe NATO-n.
Jashtë Europës, bëhet edhe më e vështirë të përcaktohet se kush mund të flasë në emër të fuqive të mesme. Në Azi, marrëdhëniet mes Japonisë dhe Koresë së Jugut kanë qenë prej kohësh të tensionuara, ndërsa India, vendi më i populluar në botë, nuk do ta pranonte lehtë as vetë idenë se është një fuqi e mesme. Në Amerikën Latine, Brazili dhe Argjentina kanë presidentë karizmatikë, por që përfaqësojnë skaje të kundërta të spektrit ideologjik. Ndërsa asnjë shtet apo organizatë e vetme nuk mund të pretendojë se përfaqëson Lindjen e Mesme ose Afrikën.
Kjo përçarje në përfaqësim e bën jashtëzakonisht të vështirë krijimin e një qëndrimi të përbashkët dhe koherent të “fuqive të mesme” në politikën ndërkombëtare. Në Davos, Carney deklaroi me një shprehje që u bë shumë e njohur: “Fuqitë e mesme duhet të veprojnë së bashku, sepse nëse nuk jemi në tryezë, do të jemi në menu”. Por në Shenzhen, tryeza ishte shtruar vetëm për tri vende: Kinën, SHBA-në dhe Rusinë. /FT – Syri.net
© SYRI.net