
Spekulimet për një largim të mundshëm të Mbretit Charles III nga froni britanik janë shtuar, pas raportimeve për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Sipas mediave të huaja, monarku 78-vjeçar mund të jetë në një gjendje më të rënduar nga sa është bërë publike nga Pallati Buckingham, ndërsa në qarqet pranë familjes mbretërore po flitet për mundësinë e abdikimit të tij në një të ardhme të afërt. Sipas një raportimi të RadarOnline, i cili citon burime anonime pranë Pallatit, shëndeti i mbretit është përkeqësuar pas turneut të fundit në Karaibe. Burimet pretendojnë se, pavarësisht deklaratave zyrtare pozitive, ekzistojnë shqetësime për aftësinë e tij për të përmbushur detyrimet si monark.
Një prej burimeve të cituara nga media është shprehur se gjendja e Charles është e dukshme për të gjithë, ndërsa një tjetër ka pretenduar se abdikimi i tij është vetëm çështje kohe, duke argumentuar se ai nuk është më në gjendje të përballojë përgjegjësitë e fronit.
William mund të marrë fronin në vitin 2027
Nëse ky skenar bëhet realitet, pasardhësi i Charles pritet të jetë djali i tij i madh, Princi William. Sipas të njëjtave burime, në Pallat po shqyrtohen mundësitë për një tranzicion të pushtetit mbretëror, ndërsa një prej skenarëve përmend vitin 2027 si periudhën kur mund të zhvillohet ceremonia e kurorëzimit të Williamit. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Pallati Buckingham për një abdikim të mundshëm të Mbretit Charles apo për një datë të përcaktuar për pasimin e tij në fron.
Kujtojmë se në shkurt të vitit 2024, Mbreti Charles njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer, pas analizave të kryera gjatë një ndërhyrjeje mjekësore për zmadhimin beninj të prostatës. Pallati nuk ka bërë publik llojin e sëmundjes, por ka konfirmuar se monarku vijon trajtimin. Në dhjetor të vitit 2025, Pallati Buckingham njoftoi se Charles kishte reaguar jashtëzakonisht mirë ndaj trajtimit dhe se mjekët kishin rekomanduar kalimin në një fazë më të lehtë monitorimi dhe kujdesi.
Sipas RadarOnline, përveç problemeve shëndetësore, presioni mbi Mbretin Charles është shtuar edhe për shkak të zhvillimeve të fundit që kanë përfshirë familjen mbretërore. Në qendër të vëmendjes kanë qenë zbulimet që lidhen me vëllain e tij, Andrew Mountbatten-Windsor, dhe çështjen e Jeffrey Epstein, të cilat kanë shkaktuar tronditje për monarkinë britanike.
Një tjetër çështje që ka rikthyer tensionet brenda familjes është raportuar të jetë marrëdhënia mes Princit Harry, Meghan Markle dhe pjesës tjetër të familjes mbretërore. Princi William thuhet se vijon të jetë i distancuar nga vëllai i tij, me të cilin nuk ka pasur komunikime të afërta. Nga ana tjetër, vetë Harry ka shprehur publikisht dëshirën për t’u ribashkuar me familjen e tij. Pavarësisht këtyre raportimeve, pretendimet për abdikimin e Charles mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht.





