Sekuestrohen 893 kilogramë kokainë në Londër, droga ishte fshehur në arka me portokalle, 8 të arrestuar

Policia britanike ka sekuestruar 893 kilogramë kokainë, e cila ishte fshehur në arka me portokalle në një prej tregjeve më të mëdha të fruta-perimeve në lindje të Londrës. Në kuadër të operacionit kundër një rrjeti të dyshuar të trafikut të drogës, janë arrestuar tetë persona, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar edhe rreth 450 mijë paund në para të gatshme.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së dielës, më 22 nëntor, në tregun New Spitalfields Market, në zonën e Leyton. Gjatë kontrolleve, policia zbuloi një sasi të madhe kokaine të fshehur brenda kutive të kartonit me portokalle.
Pesë persona, të moshave 27, 33, 41, 43 dhe 58 vjeç, u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në një komplot për trafikimin e lëndëve narkotike të kategorisë A. Një tjetër 44-vjeçar u arrestua në afërsi të tregut, ku iu gjetën rreth 100 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë.
Hetimet vijuan edhe në një banesë në zonën e Cheshunt, në Hertfordshire, ku u arrestua një 48-vjeçar. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 450 mijë paund në para të gatshme. Ndërkohë, një kamion u ndalua pranë Maidstone, në Kent, dhe u transportua drejt Doverit për kontroll. Brenda tij u zbuluan rreth 250 kilogramë kokainë, ndërsa u arrestua edhe drejtuesi 50-vjeçar i mjetit.
Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, në total janë sekuestruar 893 kilogramë kokainë e dyshuar. Të tetë personat e arrestuar vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal janë në zhvillim. Drejtuesja e hetimit, inspektorja Lindsay Billany, deklaroi se droga e sekuestruar kishte një vlerë prej miliona paundësh dhe se operacioni përbën një goditje të rëndësishme për organizatën e dyshuar kriminale.




