
Ardian Ismajli përballet me një periudhë të vështirë pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e së shtunës ndaj Napolit. Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar frikën e parë: mbrojtësi shqiptar ka pësuar një tërheqje të shkallës së lehtë në muskujt aduktorë të kofshës së majtë, si dhe një frakturë në dorën e djathtë.
Kjo e fundit pritet të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa periudha e rikuperimit mund të zgjasë rreth 25 ditë. Një goditje e dyfishtë për Ismajlin, por edhe për Torinon, që tashmë duhet të bëjë llogaritë pa një nga lojtarët e rëndësishëm të repartit defensiv.
Dëmtimi i shqiptarit pati pasoja edhe gjatë sfidës me Napolin. Dalja e tij nga fusha dhe riorganizimi i mbrojtjes së Torinos krijuan hapësirën që kundërshtari shfrytëzoi në aksionin e golit të fitores, të shënuar nga Scott McTominay.
Sipas raportimit të gazetës italiane La Stampa, trajneri i Torinos, Abate, tashmë duhet të gjejë zgjidhjen e duhur për të zëvendësuar Ismajlin. Detyra nuk pritet të jetë aspak e lehtë, pasi qendërmbrojtësi 30-vjeçar është aktivizuar rregullisht nga tekniku italian në ndeshjet e fundit. Kjo, pavarësisht se gjatë përgatitjeve verore dhe në ndeshjet e para zyrtare kishte pasur më pak hapësira.
Mungesa e Ismajlit pritet të jetë një shqetësim serioz për Torinon, ndërsa Abate duhet të rishikojë alternativat në prapavijë për të përballuar ndeshjet e ardhshme pa mbrojtësin shqiptar.
