Një këngëtare iraniane dhe katër anëtarë të ekipit të saj të produksionit u rrahën secili me 74 goditje me kamzhik.
Ata ishin shpallur më herët fajtorë për “cenim të moralit publik përmes prodhimit dhe publikimit në internet të përmbajtjeve të pahijshme dhe imorale”.
Parastoo Ahmadi dhe katër personat e tjerë të grupit janë dënuar gjithashtu me ndalim dyvjeçar të veprimtarive artistike dhe muzikore, si dhe të udhëtimit jashtë vendit. Këtë e bëri të ditur avokati Mostafa Nili, sipas faqes së internetit Emtedad.
Çështja lidhet me publikimin e një videoje në YouTube, në dhjetor të vitit 2024, ku Ahmadi shfaqej duke performuar pa hixhabin e detyrueshëm, së bashku me muzikantë meshkuj, në qytetin e Komit, në jug të kryeqytetit Teheran.
Këtë informacion e bëri të ditur organizata e të drejtave të njeriut Hengaw, me seli në Norvegji. Qeveritë perëndimore dhe organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar fshikullimin, duke e cilësuar atë si torturë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Irani i hedh poshtë akuzat lidhur me bilancin e tij në fushën e të drejtave të njeriut, duke argumentuar se vendet perëndimore duhet të përqendrohen te problemet e tyre në këtë drejtim.
Rregullat që i detyrojnë gratë të mbajnë hixhabin u kthyen në një pikë të nxehtë të protestave të vitit 2022, pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane, e cila ishte arrestuar nën dyshimin për shkelje të kodit të veshjes.








Komente
Komento