Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Jeton Sylajt, avokati Berisha thotë se Prokuroria bëri “gabim skandaloz” në aktakuzë
Seanca fillestare ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e paraparë të mbahej sot, është shtyrë në një datë tjetër, pas një kërkese të parashtruar nga avokati i familjes së viktimës, Besnik Berisha.
Berisha ka bërë të ditur se kërkesa për shtyrjen e seancës është miratuar nga gjykata, pasi, sipas tij, në aktakuzën e Prokurorisë janë evidentuar mangësi ligjore në cilësimin e veprimeve të të pandehurit.
Ai pretendon se Prokuroria ka bërë një gabim të rëndë duke mos i cilësuar veprimet e Jeton Sylajt si të kryera ndaj një viktime të ndjeshme.
“Seanca nuk u mbajt për shkak të një kërkese që parashtrova si rezultat i mangësive ligjore. Prokuroria kishte bërë një gabim skandaloz në aktakuzë, në cilësimin e veprimeve të Jeton Sylajt. Veprimet e tij nuk janë konsideruar se janë ndërmarrë ndaj viktimës së ndjeshme. Është miratuar kërkesa për shtyrjen e seancës në një ditë tjetër”, ka deklaruar Berisha.
Avokati ka bërë të ditur se do t’i drejtohet edhe Kryeprokurorit të Shtetit, duke kërkuar tërheqjen e aktakuzës dhe rivlerësimin e kualifikimit ligjor të veprës.
Sipas tij, ndryshimi i cilësimit të veprës do të ndikonte edhe në lartësinë e dënimit të paraparë, duke pretenduar se në këtë rast dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim, e jo një vit.
Ndërkohë, Berisha ka folur edhe për zhvillimet e fundit në hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke thënë se ndalimi i katër personave është rezultat i hetimeve të vazhdueshme pas kalimit të rastit në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ai ka theksuar se familja e viktimës, në cilësinë e palës së dëmtuar, ka dorëzuar së paku dy kërkesa, përmes të cilave, sipas tij, ka ofruar prova dhe dëshmitarë që do të dëshmonin se vrasja nuk ishte një veprim i izoluar.
“Ne kemi qenë të bindur dhe kemi ofruar prova e dëshmitarë se veprimet nuk kanë qenë të izoluara. Vrasja e saj nuk ka qenë e papërgatitur dhe aq më pak e paparashikuar nga vetë dorasi dhe familjarët e tij”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka pretenduar se ka pasur shtytje në vrasjen e Arlindës, duke shtuar se si të dyshuar në këtë drejtim janë marrë në hetim edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati i viktimës.
Berisha ka shprehur bindjen se hetimet nuk do të përfundojnë me kaq dhe se mund të përfshihen edhe persona të tjerë.
“Unë besoj që kjo nuk do të ndalet këtu dhe do të ketë edhe persona të tjerë për shtytje në vrasje, e që njëri nga ta do të jetë personi që sapo u nxor nga seanca këtu, Jeton Sylaj”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Prokuroria dhe Policia kanë njoftuar më herët për ndalimin e katër personave në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt. Dy prej tyre dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë, ndërsa dy të tjerë për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale. /Telegrafi/




























