
Ligjvënësit demokratë kanë zgjeruar hetimin për konfliktet e pretenduara të interesit në administratën Trump, duke vënë në shënjestër kompani të lidhura me Donald Trump Jr., të cilat, sipas tyre, mund të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme nga kontratat qeveritare ose lehtësimet rregullatore.
Jamie Raskin, i cili pritet të marrë drejtimin e Komisionit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve në janar, kërkoi të hënën dokumente nga platforma e basteve Polymarket, shitësi online GrabAGun, kompania e cigareve elektronike Juul dhe kompania e mbrojtjes Hadrian.
Polymarket, Hadrian dhe Juul mbështeten financiarisht nga 1789 Capital, ku Trump Jr. u bë ortak menjëherë pasi babai i tij fitoi zgjedhjet e vitit 2024. Ndërsa GrabAGun ishte mbështetur veçmas nga djali i presidentit, shkruan FT.
“1789 Capital është bërë jashtëzakonisht e aftë në ‘përzgjedhjen e momentit të duhur’ për investimet në kompani, pak përpara se ato të përfitonin nga kontrata fitimprurëse federale dhe vendime të favorshme rregullatore”, shkroi Raskin në letrat drejtuar katër kompanive, të cilat janë parë nga Financial Times. Ai u kërkoi atyre të ruanin të gjithë komunikimin me grupin e investimeve.
Shtëpia e Bardhë, një zëdhënës i Donald Trump Jr. dhe tre nga katër kompanitë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. GrabAGun deklaroi: “Letra e kongresmenit Raskin është një dokument politik dhe pretendimet e saj janë të pabazuara.”
Bill Burck, avokat që përfaqëson 1789 Capital, tha: “Ne iu përgjigjëm kongresmenit Raskin që në shtator, duke vënë në dukje në detaje të metat e shumta në kuptimin e tij për mënyrën se si ka funksionuar 1789, si dhe një sërë gabimesh themelore faktike. Ai nuk u shqetësua kurrë të përgjigjej.”
Letrat shënojnë zhvillimin më të fundit në përplasjen e demokratëve me anëtarët e familjes së presidentit lidhur me pretendimet për përfitime nga informacionet e brendshme. Raskin dhe Robert Garcia, i cili pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Mbikëqyrjes, janë zotuar të hetojnë bizneset e familjes Trump kur demokratët të marrin kontrollin e Kongresit vitin e ardhshëm.
Demokratët e kanë përqendruar vëmendjen te 1789 Capital, asetet nën administrimin e së cilës janë rritur nga 200 milionë dollarë në mbi 3 miliardë dollarë që prej themelimit të saj në vitin 2023.
Në letrat e tij, Raskin pretendoi se GrabAGun, Polymarket dhe Juul përfituan nga ndryshimet rregullatore të miratuara nga administrata Trump, pasi kompanitë kishin siguruar investime nga 1789. Ndërsa Hadrian mori një kontratë prej afro 1 miliard dollarësh nga qeveria amerikane në mars, disa muaj pasi 1789 kishte kryer investimin e saj të parë në kompani.
Raskin shkroi se historiku i 1789 “sugjeron se ose Donald Trump Jr. papritur ka fituar dhe i ka sjellë 1789 Capital aftësi të reja magjike për të parashikuar të ardhmen… ose ne po dëshmojmë një komplot të hapur për të përdorur mekanizmat e pushtetit ekzekutiv të qeverisë, nën kontrollin e presidentit Trump, për të manipuluar si politikat publike, ashtu edhe tregjet, me qëllim pasurimin e familjes së parë”.
Financial Times raportoi se drejtori ekzekutiv i Hadrian, Chris Power, në korrik dhuroi pothuajse 450 mijë dollarë për kauza republikane, vetëm disa muaj pasi kompania kishte fituar një kontratë prej 900 milionë dollarësh nga qeveria amerikane. Në gusht, 1789 Capital rriti pjesën e saj të investimit në kompaninë e mbrojtjes, gjatë një raundi të ri financimi.
Në atë kohë, 1789 deklaroi se “çdo pohim apo sugjerim, drejtpërdrejt ose tërthorazi, se 1789 ka konflikt interesi, ose se në njëfarë mënyre po merr pjesë apo po përfiton nga çfarëdo forme korrupsioni, është i provueshëm si i rremë dhe shpifës”.
Hadrian deklaroi se ishte “krenare që mbështetet nga një grup i gjerë dhe i larmishëm investitorësh” dhe se “mbështetja e tyre pasqyron besimin e gjerë te misioni i Hadrian dhe aftësia jonë për të ofruar kapacitetet prodhuese që i nevojiten Amerikës”.
Polymarket dhe rivali i saj Kalshi fituan popullaritet në prag të zgjedhjeve të vitit 2024 dhe tërheqin çdo muaj miliarda dollarë në vëllim transaksionesh.
Në korrik 2025, Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni i Tregtimit të Kontratave të së Ardhmes së Mallrave (CFTC), autoriteti rregullator i tregjeve të derivateve, mbyllën një hetim për të përcaktuar nëse Polymarket kishte pranuar në mënyrë të paligjshme baste nga amerikanët, në një kohë kur tregtarëve amerikanë u ndalohej përdorimi i platformës.
Trump Jr. iu bashkua bordit këshillimor të Polymarket muajin pasardhës, në të njëjtën kohë kur 1789 mbështeti kompaninë përmes një “investimi strategjik”, madhësia e të cilit nuk u bë publike.
Duke mbrojtur investimet e 1789 në një aktivitet të organizuar nga grupi mediatik Axios javën e kaluar, Trump Jr. tha: “Ideja se unë duhet disi të ulem në një cep, të thith gishtin e madh dhe të pres… 12 vjet derisa të dalim nga loja politike, nuk është realiste.”
Presidenti i 1789, Omeed Malik, tha në të njëjtin aktivitet se “gjithçka që bëjmë ka qenë transparente”.