Historia kujton emra si Aleksandri i Madh, Jul Cezari, Napoleoni dhe Xhorxh Uashingtoni, por ka edhe komandantë të tjerë, fitoret e të cilëve patën ndikim po aq vendimtar në rrjedhën e historisë. Nga Greqia e lashtë deri në Luftën e Dytë Botërore, këta udhëheqës ushtarakë arritën të ndryshonin fatin e betejave dhe të popujve falë strategjive dhe vendimeve të guximshme.
Historiani Iain MacGregor, autor i librit Beteja: Momentet që transformuan luftën nga Greqia e lashtë deri në Ukrainë, shpjegon se historia nuk është thjesht një regjistrim i ngjarjeve, por edhe një proces përzgjedhjeje. Personalitetet e mëdha dhe historitë që krijojnë mite kombëtare mbahen mend më lehtë, ndërsa komandantët me arritje të jashtëzakonshme shpesh harrohen.
1. Miltiadi dhe Beteja e Maratonës

Në shtator të vitit 490 para Krishtit, një ushtri kryesisht athinase, e drejtuar nga gjenerali Miltiad, u përball me një forcë shumë më të madhe perse në fushën e Maratonës, rreth 42 kilometra larg Athinës. Në këtë betejë vihej në rrezik mbijetesa e Athinës dhe e demokracisë së saj.
Miltiadi e njihte mirë ushtrinë perse, pasi kishte luftuar më parë për Perandorinë Perse. Ai e dinte se, ndonëse numerikisht më e madhe, ajo përbëhej kryesisht nga ushtarë të rekrutuar në territore të ndryshme, të cilët nuk kishin të njëjtën motivim për të luftuar.
Në vend që të qëndronte në mbrojtje, Miltiadi vendosi të sulmonte. Ai dobësoi qendrën e formacionit dhe përforcoi krahët e ushtrisë. Sulmi shkaktoi panik në radhët perse dhe beteja përfundoi me një fitore vendimtare greke. Kjo fitore shpëtoi Athinën nga pushtimi, por shpesh mbetet në hijen e Betejës së Termopileve, e përjetësuar edhe nga filmi 300.
2. Mbreti Otto I dhe Beteja e Lechfeldit

Me 10 gusht 955, mbreti gjerman Otto I u përball me luftëtarët nomadë magjarë në fushën e Lechfeldit, në Bavarinë e sotme. Magjarët përbënin një kërcënim serioz për Europën Qendrore, duke kryer vazhdimisht sulme në territoret e saj.
Otto arriti të bashkonte ushtritë e mbretërive të përçara dhe të krijonte një forcë të disiplinuar. Strategjia e tij ishte të mos binte në kurthin e tërheqjes së rreme, një taktikë që magjarët e përdornin për të shkatërruar ushtritë kundërshtare.
Ai urdhëroi ushtarët të qëndronin në pozicion dhe të mos ndiqnin kundërshtarin kur ky tërhiqej. Taktika funksionoi: magjarët u thyen dhe pësuan humbje të rënda. Fitorja ndali sulmet e tyre dhe ndryshoi ekuilibrin e forcave në Evropën Qendrore.
3. Jean de Valette dhe Rrethimi i Madh i Maltës

Me 18 maj 1565, një ushtri osmane prej rreth 20,000 deri në 40,000 ushtarësh zbarkoi në Maltë, e mbrojtur nga më pak se 6000 luftëtarë, mes tyre rreth 500 kalorës të Urdhrit të Shën Gjonit.
Në krye të mbrojtjes ishte Jean de Valette, mjeshtër i madh i këtij urdhri. Ai e kuptoi se nuk mund ta mposhtte ushtrinë osmane në një përballje të drejtpërdrejtë, ndaj zgjodhi një strategji rraskapitjeje. Synimi ishte ta detyronte kundërshtarin në një luftë të gjatë, ku lodhja, sëmundjet dhe mungesa e furnizimeve do ta dobësonin.
De Valette drejtoi personalisht mbrojtjen dhe ndërhyri në momentet më kritike të luftimeve. Pas gati katër muajsh, osmanët u tërhoqën, pasi në ishull mbërritën përforcime të krishtera. Ishte një nga humbjet më të mëdha osmane të asaj periudhe dhe një fitore me rëndësi strategjike për Europën.
4. Konti de Rochambeau dhe Beteja e Yorktown-it

Me 28 shtator 1781, rreth 17,000 ushtarë amerikanë dhe francezë, të mbështetur nga flota franceze, rrethuan rreth 9000 ushtarë britanikë në Yorktown të Virxhinias. Fitorja do të ishte vendimtare për pavarësinë amerikane.
Komandanti francez Rochambeau kishte mbërritur në Amerikë një vit më parë, në krye të një ekspedite ushtarake. Megjithëse ekzistonte mosbesim mes amerikanëve dhe francezëve, ai bashkëpunoi ngushtë me Xhorxh Uashingtonin për të organizuar operacionin.
Ushtria franceze siguroi një forcë të disiplinuar, ndërsa flota franceze bllokoi furnizimet britanike nga deti. Fushata përfundoi me dorëzimin e britanikëve dhe hapi rrugën drejt pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, kontributi i Rochambeau-së shpesh është lënë në hije nga roli i Uashingtonit. Në Francë, kujtimi i kësaj fitoreje u zbeh më tej pas Revolucionit Francez.
5. Vasili Çuikov dhe Beteja e Stalingradit

Me 23 gusht 1942, Gjermania naziste nisi sulmin për pushtimin e Stalingradit, një nga betejat më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore. Në shtator, gjenerali sovjetik Vasili Çuikov mori drejtimin e mbrojtjes së qytetit dhe u zotua se do ta mbronte deri në vdekje.
Përballë epërsisë gjermane në luftimet urbane, Çuikov përdori taktika të pazakonta. Ai organizoi grupe të vogla sulmi, me nga gjashtë deri në tetë ushtarë, të pajisur me mitraloza, granata, bajoneta dhe lopata të mprehura. Këto grupe sulmonin natën, duke luftuar për çdo ndërtesë, kat dhe bodrum.
Mbrojtja e ashpër sovjetike i dha kohë komandës së lartë, ku një rol të rëndësishëm kishte edhe Georgy Zhukov, të grumbullonte forca për kundërsulmin. Në fund, gjermanët u rrethuan dhe pësuan një nga disfatat më vendimtare të luftës.
Megjithëse Beteja e Stalingradit konsiderohet një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore, kontributi i Çuikovit shpesh harrohet. Megjithatë, qëndresa e ushtrisë së tij ishte thelbësore për fitoren sovjetike.
© SYRI.net
Misteri i Arkës së Noes në malin Ararat, studiuesit pretendojnë zbulimin e gjurmëve 4,300-vjeçare
Arkeologët zbulojnë se një nga mbretërit më të fuqishëm të Britanisë së lashtë mund të ketë qenë grua
63 vite nga vrasja e John F. Kennedy-t, atentati që tronditi Amerikën dhe teoritë që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje