Komision hetimor për zgjedhjet, PS dhe PD bien dakord në Këshillin e Legjislacionit

5 muaj para se të mbahen zgjedhjet lokale, mazhoranca i ka hapur rrugë kërkesës së opozitës për të hetuar zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në maj të vitit 2025.
Në Këshillin e Legjislacionit, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste ranë dakord për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në qershor urdhëroi Parlamentin të ngrejë një komision hetimor për zgjedhjet parlamentare. Mbledhja zgjati vetëm 30 minuta dhe nuk pati debate, por u kufizua te leximi i raporteve nga mazhoranca dhe opozita, raporte që sugjeruan ngritjen e këtij komisioni.
“Besoj se këtu ne mund t’i japim fund diskutimeve duke propozuar përcjelljen e relacionit te Kryetari i Kuvendit për të vazhduar në Konferencën e Kryetarëve dhe për të përcaktuar të gjithë ata hapa që u përmendën për ngritjen e një Komisioni Hetimor, sipas një procedure tashmë të konsoliduar, për caktimin e anëtarëve, caktimin e seancës, si dhe për afatin e komisionit.”, tha Damian Gjiknuri, deputeti i PS.
Ky është komisioni i parë hetimor që mazhoranca pranon t’i ngrejë opozitës në këtë legjislaturë.
Saga për hetimin parlamentar të zgjedhjeve nisi vitin e kaluar, me nisjen nga puna të Parlamentit që doli nga zgjedhjet e 11 majit.
Në tetor të vitit 2025, Partia Demokratike depozitoi në Parlament kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në maj të vitit 2025.
Në mënyrë specifike, Partia Demokratike kërkoi kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025, sipas gjetjeve të raportit të OSBE/ODIHR-it.
Shumica socialiste e rrëzoi me forcën e kartonave këtë kërkesë, ndërsa Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila më 1 qershor i dha të drejtë opozitës.




