Irani bëri të ditur sot se dy cisterna nafte morën flakë pasi goditën mina detare në ujërat e kufizuara në lindje të Ngushticës së Hormuzit ndërsa tensionet rajonale vazhdojnë të përshkallëzohen, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror IRIB, departamenti i marrëdhënieve me publikun i marinës tha se dy cisternat hynë në një “zonë të ndaluar” sot herët, pasi kishin çaktivizuar sistemet e tyre të identifikimit dhe navigimit.
Sipas deklaratës, të dyja anijet goditën mina detare, morën flakë dhe mbetën të bllokuara. Marina nuk bëri të ditur identitetin e cisternave dhe nuk dha hollësi për ekuipazhet e tyre, viktimat e mundshme apo shkallën e dëmeve.
Ajo u bëri thirrje pronarëve të cisternave që të koordinohen me forcat e armatosura iraniane për të garantuar kalim të sigurt përmes kësaj rruge ujore strategjike.
Incidenti i fundit ndodh në një kohë kur ndërprerjet e trafikut detar përmes Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë, duke prekur një rrugë jetike për transportin global të naftës dhe gazit.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur Teheranin të kundërpërgjigjet me sulme ndaj Izraelit dhe objekteve ushtarake amerikane në vendet arabe.
Teherani dhe Washingtoni nënshkruan memorandum mirëkuptimi në qershor, por zbatimi i tij ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
