Altin Çokut ka folur në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 për herë të parë në mënyrë të detajuar mbi marrëdhënien që ka pasur me Sibela Abedinin, e cila humbi jetën pasi u hodh nga pallati, në një ngjarje që vijon të ngrejë pikëpyetje mbi rrethanat dhe shkaqet që e çuan të renë drejt këtij akti tragjik.
Gjatë intervistës, Çokut pranoi se kishte pasur një marrëdhënie intime me Sibelën, duke shpjeguar se lidhja mes tyre kishte nisur më 27 të muajit. Ai tregoi se fillimisht kishte kërkuar një pastruese përmes Danjela Selmanit, e cila i kishte dërguar vajzën e saj dhe i kishte lënë numrin e telefonit. Sipas tij, më pas komunikimi me Sibelën kishte vijuar dhe marrëdhënia mes tyre ishte kthyer në një lidhje.
Altin Çoku tha se nuk e kishte bërë publike më herët këtë marrëdhënie, pasi Sibela kishte një fëmijë dhe ai kishte dashur të shmangte bullizimin ndaj saj, duke përmendur edhe përvojën e fëmijëve të tij me bullizimin.
Ai mohoi kategorikisht të ketë ushtruar dhunë apo presion psikologjik ndaj 27-vjeçares, duke këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë përgjegjësi në shtyrjen e saj drejt vetëvrasjes.
“Unë, si Altin, e pranoj se kam pasur marrëdhënie me Sibelën, por në asnjë moment nuk kam ushtruar dhunë dhe presion psikologjik. E vërteta duhet të dalë hapur”, deklaroi ai.
Gjatë rrëfimit, Çoku foli edhe për një fotografi të Sibelës, për të cilën tha se ishte realizuar prej tij dhe se ajo e kishte përdorur si foto profili. Ai tregoi gjithashtu se kishin komunikuar edhe pak kohë para ngjarjes, duke përmendur një telefonatë në orën 09:20 dhe një video që ajo i kishte thënë se do t’i dërgonte.
Çoku ngriti pikëpyetje mbi kronologjinë e ngjarjes, duke iu referuar dëshmisë së vëllait të Sibelës në gjykatë, sipas së cilës ai kishte mbërritur në banesë rreth orës 10:20 dhe nuk e kishte gjetur motrën aty. Ai përmendi edhe deklarimet për një shofer furgoni që pretendohet se kishte parë momentin kur e reja u hodh nga pallati.
Në vijim të intervistës, Altin Çoku shprehu bindjen se dikush tjetër mund ta ketë shtyrë Sibelën drejt aktit tragjik, duke pretenduar se ajo nuk kishte arsye për t’i dhënë fund jetës. Ai tha se familjarët e saj kishin dijeni për marrëdhënien mes tyre, ndërsa kërkoi që personat që përmendi në intervistë të zhvillojnë një bisedë të përbashkët për të zbardhur atë që ka ndodhur.
“Jam i bindur se atë e ka vrarë dikush. Nuk ka pasur asnjë lloj arsyeje për t’u vetëvrarë”, u shpreh Çoku.
Në fund, ai iu drejtua edhe bashkëshortes së tij, duke i kërkuar falje për marrëdhënien që kishte pasur me Sibelën. Ndërsa lidhur me ngjarjen, kërkoi që të zbardhen rrethanat dhe që përgjegjësit, nëse provohet se ka pasur të tillë, të marrin dënimin e merituar.
Deklaratat e Altin Çokut janë pretendime të tij, ndërsa rrethanat e plota të vdekjes së Sibela Abedinit dhe përgjegjësitë për këtë ngjarje mbeten objekt i hetimit dhe verifikimit nga organet kompetente.






