Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se, pavarësisht ndryshimit të klimës politike në Kuvendin e Serbisë, ende nuk mund të ketë besim të plotë te shumica e re parlamentare, për shkak të retorikës së pandryshuar ndaj Kosovës.

Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Kamberi ka bërë të ditur se së shpejti pritet të publikohen të gjitha marrëveshjet që Serbia ka lidhur me Kosovën, duke ngritur pikëpyetje rreth qëllimit të këtij veprimi.


“Nuk mund të kemi një besim të plotë në një shumicë të re, e cila, sa i përket Kosovës, nuk e ka ndërruar retorikën. Do të shohim a është një retorikë e momentit apo është një drejtim strategjik politik i tyre”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka thënë se mbetet të shihet nëse publikimi i marrëveshjeve synon diskreditimin e mëtejshëm të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, apo nëse qëllimi është anulimi i tyre.

“A është një strategji e diskreditimit të Vuçiqit edhe më tej apo tentohet që ato marrëveshje në Parlament të sillen dhe të anulohen, mbetet të shohim”, ka shtuar ai.

Kamberi ka theksuar se për shqiptarët e Luginës së Preshevës mbetet thelbësore gatishmëria e pushtetit të ri për respektimin e kërkesave politike të përfshira në dokumentin shtatëpikësh, si dhe të marrëveshjeve të tjera me Serbinë.