Rrëmbimi i Jan Prengës/ Gjykata e Lartë i ul dënimin “kopshtarit”, nga burgim i përjetshëm në 25 vite
Gjykata e Lartë ka ndryshuar dënimin për Festim Bexhdilin, i njohur si “kopshtari”, i akuzuar për përfshirje në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020.
Nga burgimi i përjetshëm, që i ishte caktuar nga gjykatat e shkallëve më të ulëta, Bexhdili është dënuar me 25 vite burg. Vendimi është shpallur nga gjyqtari Genti Shala.
Sipas akuzës së prokurorisë, Bexhdili shfaqej në pamjet e kamerave të sigurisë duke përgatitur veglat e punës që dyshohet se do të përdoreshin për të zhdukur trupin e Jan Prengës, babait të katër fëmijëve.
Jan Prenga u rrëmbye në mesditën e 17 janarit 2020, në një ngjarje që tronditi opinionin publik. Pamjet filmike dokumentuan lëvizjet e personave të përfshirë dhe transportimin e tij drejt një kompleksi në Shijak.
Regjistrimet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar edhe momentet e fundit kur trupi i tij i pajetë është parë në këtë kompleks. Që prej asaj kohe, eshtrat e Jan Prengës nuk janë gjetur, ndërsa ngjarja mbetet një prej dosjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



