Një moment tensioni është regjistruar gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Serbisë, ku presidenti Aleksandar Vuçiç u përplas me drejtuesin e seancës, Aleksandar Çupiç, pasi ky i fundit i ndërpreu fjalën duke i fikur mikrofonin.
Situata nisi pasi Sara Valentik kërkoi fjalën dhe Vuçiç kërkoi të drejtën e replikës. Teksa presidenti serb po fliste, pas dy minutash Çupiç vendosi t’i ndërpriste mikrofonin, duke argumentuar se kishte përfunduar koha e lejuar për replikën.
Në pamjet e transmetuara nga kamerat e Kuvendit shihet momenti kur drejtuesi i seancës i fik mikrofonin Vuçiçit dhe më pas i tregon orën me dorë, për t’i kujtuar se koha në dispozicion kishte përfunduar.
Veprimi shkaktoi reagimin e presidentit serb, i cili nuk pranoi të vazhdonte fjalën pa mikrofon. Pasi duartrokiti, ashtu si edhe të pranishmit e tjerë në sallë, Vuçiç mblodhi sendet personale, u ngrit nga vendi dhe u largua nga salla parlamentare.
E gjithë skena, nga ndërprerja e fjalës deri te largimi i Vuçiçit, është filmuar nga kamerat e Kuvendit dhe është bërë publike në një video që po qarkullon në rrjet.


