Organi i akuzës ka kërkuar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm lënien në fuqi të dënimit kapital me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në Shëngjin.
Gjatë parashtrimit të pretencës përfundimtare, Prokuroria e Lezhës argumentoi se vendimi i dhënë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë duhet të mbetet i pandryshuar, duke e cilësuar Saraivën si personin që hyri në ambientet e hotelit të viktimës në Shëngjin dhe e qëlloi atë për vdekje me armë zjarri.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të shtetasit portugez kanë kundërshtuar dënimin e shkallës së parë, duke kërkuar rrëzimin ose ndryshimin e tij përmes një rivlerësimi të plotë të provave të administruara në dosje.
Pas mbylljes së shqyrtimit gjyqësor dhe dëgjimit të palëve, trupa gjykuese e Apelit njoftoi se vendimi përfundimtar për këtë çështje do të shpallet më datë 2 dhjetor.










