Një bonus prej plot 22 milionë eurosh. Kjo është shuma marramendëse që Jamal Musiala ka përfituar nga Bayern Munich në momentin e rinovimit të kontratës, në shkurt të vitit 2025, duke i shtuar edhe më shumë peshë marrëveshjes së tij me gjigantin gjerman.

Sipas raportimit të revistës gjermane “Stern”, përveç pagës vjetore prej 25 milionë eurosh bruto, Musiala ka marrë edhe një bonus besnikërie prej 22 milionë eurosh vetëm për firmosjen e kontratës së re.


Një shumë e jashtëzakonshme, që rrallë shihet në futboll dhe që bie veçanërisht në sy te një klub si Bayern Munich, i njohur për kujdesin ndaj financave.

Me marrëveshjen e re, shpenzimet e Bayern Munich për yllin gjerman parashikohet të kalojnë shifrën e 150 milionë eurove gjatë kohëzgjatjes së kontratës.

Megjithatë, situata ka marrë një kthesë të papritur për shkak të problemeve shëndetësore të 23-vjeçarit. Shqetësimet neurologjike dhe pasiguria rreth rikthimit të tij në nivelin më të lartë kanë ngritur pikëpyetje për të ardhmen e futbollistit, ndërsa investimi i madh i klubit tashmë po shihet me një tjetër perspektivë.

Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge kanë shprehur dëshirën që të ulen në diskutime me lojtarin për të shqyrtuar kushtet e marrëveshjes dhe mundësinë e reduktimit të shpenzimeve.

Në kohën kur u nënshkrua kontrata, në shkurt të vitit 2025, klubi nuk mund ta parashikonte se problemet shëndetësore të Musialës do të merrnin përmasa të tilla.

telegrafi.com

Sipas raportimit, kontrata përmban edhe disa kushte të veçanta, përfshirë më shumë ditë pushimi për arsye shëndetësore dhe një pagë fikse me më pak varësi nga sukseset sportive të klubit. Pikërisht këto detaje, së bashku me bonusin prej 22 milionë eurosh, e bëjnë marrëveshjen e Musialës një nga investimet më të mëdha të Bayern Munich. /Telegrafi/