RD e Kongos njofton për zhdukjen e një mjeti ajror ushtarak, ndërsa rebelët pretendojnë se e kanë rrëzuar atë

Ushtria e Republikës Demokratike të Kongos bën të ditur se po kërkon një nga mjetet e saj ajrore, pasi rebelët deklaruan se kanë rrëzuar një aeroplan luftarak në pjesën lindore të vendit.
Ushtria njoftoi se kishte humbur kontaktet me një aeroplan të vogël transporti të tipit Cessna 208 të dielën, për shkak të "kushteve të këqija të motit".
Fati i aeroplanit dhe i ekuipazhit të tij mbetet i pasigurt, shtoi ajo.
Të njëjtën ditë, grupi rebel "FRN” deklaroi se kishte rrëzuar një aeroplan të të njëjtit lloj, i cili ishte në një mision për të bombarduar Minembwe-n, në provincën e Kivu-së Jugore.
Sipas raportimeve, në bord ndodheshin katër persona, përfshirë një pilot nga Uganda dhe një nga Afrika e Jugut; ky i fundit thuhet se është kapur i gjallë.
Të martën, FRN-ja deklaroi se aeroplani i rrëzuar ishte një Cessna 208, i cili ishte "shndërruar në një aeroplan të lehtë sulmues", duke i mundësuar atij "të transportojë dhe të lëshojë bomba e raketa me precizion të lartë".
Rrënojat e tij ndodhen tani 10 km (6 milje) larg Minembwe-s, thuhet në deklaratën e rebelëve.
BBC shkruan se nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur pretendimin e rebelëve, e as nuk ka konfirmuar nëse mjeti ajror që ushtria e RD të Kongos e raporton si të zhdukur, është i njëjti me atë që rebelët pretendojnë se kanë rrëzuar. /Telegrafi/


































