‘Roma është një skuadër që nuk ka frikë. Të fitojmë ndaj saj do të jetë shumë e vështirë, do ta shihni’-kështu u shpreh trajneri i Paris Saint Germaini, Luis Enrique në konferencën për shtyp në prag të sfidës së Ligës së Kampioneve, me trajnerin asturian që kthehet të luajë ndaj së kaluarës së tij.

Kampionët në fuqi të Evropës shkojnë në këtë ndeshje pas 4 fitoreve në po kaq ndeshje në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube, me Luis Enrique që vlerëson në maksimum verdhekuqtë e drejtuar nga Gian Piero Gasperini.

‘Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ato me të cilat jemi mësuar-shtoi trajneri spanjoll-do të jetë e komplikuar sepse Roma është një skuadër që mbron në mënyrë të veçantë. Nesër do të shihni vështirësitë që do të hasim, por kemi besim se do t’ia dalim ta kalojmë presingun e tyre’.

Luis Enrique padyshim e kujtoi edhe periudhën kur ai ishte në pankinën e Romës në sezonin 2011/2012, një sezon i mbyllur në vendin e 7 dhe i shoqëruar nga kritikat e tifozëve.

‘Ai në Romë ishte një moment i rëndësishëm për karrierën time, kam kujtime të bukura, një lidhje të këndshme me qytetin’-vijoi Luis Enrique

Paris Saint Germain do të ketë mungesa të rëndësishme për këtë ndeshje siç janë ato të Doue dhe Kvarastkhelias, por trajneri i kampionëve të Evropës preferon të largojë çdo shqetësim në këtë pikë.

‘Pavarësisht dëmtimeve, skuadra jonë është e fortë-tha Luis Enrique-Merkato? Nuk e kemi me detyrim, do të përballojmë problemet’.