Në mars të vitit 2025, fondi i investimeve ku Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan, është partner, investoi 5 milionë dollarë në kompaninë e cigareve elektronike Juul. Katër muaj më vonë, autoritetet amerikane autorizuan shitjen e pesë produkteve të kompanisë, ndaj së cilës më parë kishin vendosur kufizime të rëndësishme.

Ky është vetëm një nga rastet që ka ngritur dyshime te demokratët në Kongresin amerikan, të cilët po hetojnë nëse djali i presidentit ka shfrytëzuar pozitën e të atit për të përfituar financiarisht.

Sipas Reuters, kongresmeni demokrat Jamie Raskin, që pritet të marrë drejtimin e Komitetit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve në janar, u ka kërkuar katër kompanive dokumente dhe komunikime që lidhen me fondin e investimeve 1789 Capital, ku Trump Jr. është partner.

Demokratët dyshojnë se fondi mund të ketë investuar në kompani duke pasur dijeni paraprake për vendimet që do të merrte administrata amerikane.

“Donald Trump Jr. ose ka fituar aftësi të jashtëzakonshme për të parashikuar të ardhmen, ose jemi përballë një komploti për të manipuluar politikat publike dhe tregjet në mënyrë që familja presidenciale të pasurohet”, deklaroi Raskin.

Përveç prodhuesit të cigareve elektronike Juul, në qendër të hetimeve është edhe Hadrian Automation, një kompani që ka siguruar një marrëveshje prej 900 milionë dollarësh me Marinën amerikane për prodhimin e pjesëve të nëndetëseve dhe një kontratë tjetër prej 80 milionë dollarësh për një fabrikë të prodhimit të armëve.

Demokratët po shqyrtojnë gjithashtu investimet në Polymarket, platformën online të basteve që mori dritën jeshile për t'u rikthyer në tregun amerikan pas mbylljes së hetimeve federale ndaj saj.

Kompania e katërt është GrabAGun, e cila shet armë në internet dhe mund të përfitojë nga ndryshimet e propozuara nga administrata Trump për lehtësimin e dërgimit të armëve drejtpërdrejt te blerësit.

Donald Trump Jr. dhe drejtuesi i fondit 1789 Capital, Omeed Malik, kanë mohuar akuzat për parregullsi. Ndërkohë, Juul ka konfirmuar se do të bashkëpunojë me Kongresin, ndërsa GrabAGun e ka cilësuar hetimin të motivuar politikisht dhe akuzat të pabazuara.

Çështja pritet të marrë rëndësi edhe më të madhe në janar, kur demokratët do të marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, pas fitores në zgjedhjet e mesmandatit. Ata kanë paralajmëruar hetime më të gjera mbi kontratat shtetërore dhe konfliktet e mundshme të interesit në administratën Trump.

Ndërkohë, presidenti amerikan nënshkroi javën e kaluar një urdhër ekzekutiv që u kërkon kompanive me kontrata federale të njoftojnë Shtëpinë e Bardhë përpara se t'i dorëzojnë Kongresit dokumente dhe informacione të caktuara.

Demokratët argumentojnë se Kongresi ka të drejtën kushtetuese të mbikëqyrë administratën dhe të kërkojë dokumentacion në kuadër të hetimeve të tij.