Autoritetet gjermane i kanë refuzuar hyrjen një 25-vjeçari nga Tirana, pasi gjatë kontrollit në aeroportin e Memmingenit kanë konstatuar mospërputhje mes deklarimeve të tij për qëllimin e udhëtimit dhe dokumenteve që kishte paraqitur.
Rasti është regjistruar të hënën, më 23 nëntor, gjatë kontrolleve kufitare në këtë aeroport. Sipas policisë kufitare, i riu kishte deklaruar se po udhëtonte drejt Gjermanisë për turizëm, por shpjegimet e tij nuk përputheshin me dokumentacionin.
Pas verifikimeve dhe marrjes në pyetje, efektivët konstatuan kundërthënie në deklarimet e tij, ndaj vendosën t’i refuzojnë hyrjen në territorin gjerman dhe ta kthejnë në vendin nga kishte ardhur.
Në të njëjtin aeroport u ndalua edhe një shtetas 46-vjeçar nga Beogradi. Gjatë kontrollit, ai nuk arriti të jepte shpjegime të qarta për arsyen e udhëtimit, ndërsa policia krijoi dyshime se synonte të punonte ilegalisht në Gjermani.
Edhe këtij shtetasi iu refuzua hyrja në vend. Të dyja rastet u bënë të ditura nga Inspektorati i Policisë Kufitare në Memmingen.


