Një ngjarje e rëndë është zbardhur nga Policia e Shkodrës, ku një vajzë 13-vjeçare, me origjinë nga Shkodra dhe shtetësi amerikane, dyshohet se është abuzuar seksualisht nga disa persona të rritur në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Rasti u bë objekt hetimi pas kallëzimit të familjarëve, të cilët njoftuan policinë se e mitura ishte larguar nga banesa. Hetimi u krye nga policia, Prokuroria e Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas disa ditësh kërkimesh, 13-vjeçarja u gjet në Tiranë. Nga hetimet paraprake, dëshmia e saj, ekzaminimet mjekësore dhe provat e mbledhura dyshohet se e mitura ka qenë viktimë e abuzimit seksual në disa qytete të vendit. Sipas të dhënave të hetimit, ajo ka lëvizur fillimisht në Fier, më pas në Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Burrel dhe në fund në Tiranë. Lëvizjet dyshohet se janë kryer me autobus dhe taksi, ndërsa janë dokumentuar edhe përmes kamerave të sigurisë.