Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë, me seli në Tripoli, ka mohuar çdo bashkëpunim apo marrëveshje me Ukrainën lidhur me sulmet e së dielës ndaj dy anijeve ruse në brigjet lindore të vendit.
Me këtë deklaratë, autoritetet në Tripoli kanë marrë publikisht distancë nga operacionet, përgjegjësinë për të cilat e ka marrë përsipër Kievi.
Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme, përmes drejtorisë së inteligjencës së jashtme, thuhet se pretendimet për ekzistencën e çfarëdo marrëveshjeje me palën ukrainase lidhur me këto ngjarje janë “të pabaza”.
Deklarata vjen në një kohë kur janë shtuar spekulimet për një rol të mundshëm të autoriteteve të Tripolit në operacionet e pretenduara nga Ukraina.
Rusia prej vitesh mban marrëdhënie të ngushta me kampin e gjeneralit Khalifa Haftar, i cili kontrollon Libinë lindore, pikërisht zonën ku ndodhën sulmet.
Libia e ndarë, frikë për përshkallëzim të tensioneve
Libia vijon të jetë e ndarë mes qeverisë së njohur nga Kombet e Bashkuara, me seli në Tripoli, dhe një administrate paralele në pjesën lindore të vendit, e mbështetur nga gjenerali Khalifa Haftar.
Ngjarjet e fundit kanë ngritur pikëpyetje për pasojat e mundshme politike dhe të sigurisë në vend, ndërsa ekzistojnë shqetësime se ato mund të thellojnë tensionet mes dy kampeve rivale.
“Territori dhe objektet e Libisë nuk duhet të përdoren si pikënisje për veprime armiqësore”, theksoi Ministria e Jashtme, duke përsëritur qëndrimin e shprehur edhe në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes në shtator.
Në atë kohë, Ministria e Mbrojtjes kishte mohuar se i kishte lejuar Ukrainës të përdorte një bazë ushtarake në veriperëndim të Libisë për të nisur sulme me dronë kundër anijeve të të ashtuquajturit “flotë në hije” të Rusisë në Mesdhe.
Pretendimi ishte raportuar nga rrjeti amerikan CNN, i cili, duke cituar një burim ukrainas, kishte bërë të ditur se operatorë ukrainas të dronëve ishin vendosur në veriperëndim të Libisë që nga fundi i vitit 2025.
Zelensky merr përgjegjësinë për sulmet pranë Bengazit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmeve të së dielës pranë Bengazit, një prej qyteteve kryesore të Libisë lindore.
Gjatë operacionit, një korvetë ruse u fundos, ndërsa një anije mallrash u godit.
Sipas Zelenskyt, ushtria ukrainase përdori shtatë dronë detarë të prodhimit ukrainas në një operacion që ai e cilësoi si “shembullor”, në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ndërkohë, autoritetet e Libisë lindore i kanë kërkuar Kombeve të Bashkuara të zhvillojnë një hetim për praninë e dyshuar të forcave ukrainase në pjesën perëndimore të vendit.
Haftar udhëton drejt Turqisë
Në zhvillime të tjera, gjenerali Khalifa Haftar është nisur sot drejt Turqisë, sipas raportimeve të rrjetit Alhadath.
Ndërkohë, djali dhe pasardhësi i tij, Saddam Haftar, ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën X se ndodhet në Katar.
Zhvillimet e fundit e vendosin Libinë në një pozitë delikate, mes rivaliteteve të brendshme politike dhe përplasjes më të gjerë mes Rusisë dhe Ukrainës.

























