E martë, 24 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Ekonomi

Batërdia e drejtorit Redi Curri në Kadastrën Digjitale; si “peshkohen” qytetarët me zvarritjen e aplikimeve dhe marifeti i fshehjes së gjurmëve

Kadastra Digjitale nën drejtimin e Redi Currit, skema që mban peng qindra prona…

Prej majit 2019, kur u emërua drejtor i Regjistrit dhe Hartografisë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Redi Curri ka qenë në poste drejtuese që lidhen me administrimin e regjistrave të pronave, ndërsa në shtator 2024 mori drejtimin e Qendrës së Kadastrës Digjitale.

Ndërkohë, sipas informacioneve të siguruara nga Pamfleti, brenda sistemit të ASHK-së përdoret një mënyrë e fshehtë për të manipuluar trajtimin e aplikimeve, duke zvarritur kërkesat e qytetarëve dhe duke fshehur gjurmët elektronike të ndërhyrjeve.

Burimet tregojnë se përmes kësaj metode aplikimet mbahen pezull, ndërsa qytetarëve u kthehen vazhdimisht përgjigje shtyrëse. Gjithçka, sipas tyre, bëhet për të favorizuar interesa të caktuara, duke e kthyer sistemin elektronik në një instrument që mund të përdoret për pazare me pronat.

Aplikimet zvarriten për të “peshkuar” palë të interesuara ose për të mbrojtur ata që janë “peshkuar” më parë. Qytetari pret përgjigjen e Kadastrës, ndërsa fati i praktikës së tij, sipas këtij informacioni, mund të përcaktohet nga interesa që nuk kanë asnjë lidhje me dokumentacionin e pronës.

Marifeti që përshkruhet është fshehja e gjurmëve në sistem, në mënyrë që të mos identifikohet lehtësisht kush ka ndërhyrë, çfarë ka ndryshuar dhe përse një aplikim ka mbetur pezull. Burimi thotë se kjo bëhet edhe nën hundën e drejtorive vendore, të cilat mund të mos kenë dijeni për veprimet që ndikojnë në trajtimin e kërkesave.

Çfarë kishte zbuluar KLSH kur Redi Curri drejtonte Regjistrin dhe Hartografinë?

Në faqen 99 të raportit të auditimit, KLSH ka evidentuar se Kadastra nuk kontrollonte, nuk analizonte dhe nuk monitoronte gjurmët elektronike të veprimeve në sistem.

Madje, në sistemin e pronave kishte përdorues me emërtime “berat.leg”, “diber.leg” dhe “durres.leg”, për të cilët nuk identifikohej punonjësi që i përdorte, ndërsa juristët dhe hartografët kishin akses edhe në të dhënat jashtë drejtorive ku punonin.

Për këtë batërdi, të dokumentuar me aktkonstatimin nr. 4, datë 17 qershor, KLSH konstatoi se institucioni nuk ishte në gjendje të identifikonte ndërhyrjet e përdoruesve në sistem.

Pak kohë pas këtij auditimi, Redi Curri mori drejtimin e Qendrës së Kadastrës Digjitale, ku me urdhër të tij ngrihen grupet e punës për përmirësimin e regjistrave të pronave, procedurë që përfshin edhe pezullimin e veprimeve kadastrale mbi pasuri të caktuara.

Ndërsa Kadastra reklamonte “sukseset” e digjitalizimit dhe fundin e abuzimeve me aplikimet, nga 3457 kërkesa të mbetura pa përgjigje në vitin 2023, shifra shkoi në 12 337 në vitin 2024, sipas raportit të vetë institucionit.

Batërdia që KLSH kishte konstatuar në vitin 2022, sipas burimeve, mori përmasa edhe më të mëdha pas emërimit të Redi Currit në krye të Qendrës së Kadastrës Digjitale dhe sot ka arritur në pikën më kritike.

Qindra aplikime të qytetarëve mbahen zvarrë, ndërsa procedurat mbi pronat e tyre mbeten peng i pazareve dhe ndërhyrjeve në sistem, veprime që burimet i denoncojnë si kriminale.

Me marifetin e fshehjes së gjurmëve elektronike dhe kthimit të përgjigjeve shtyrëse, qytetarët sorollaten për muaj me radhë, ndërsa “peshkimi” dhe pazaret me pronat vazhdojnë nën drejtimin e Redi Currit.

Burimi që ka denoncuar skemën e “peshkimit” thotë se ka dokumentuar mënyrën e funksionimit të saj dhe se për zbardhjen e ndërhyrjeve duhen angazhuar specialistë të teknologjisë nga SPAK.

“Në këtë kohë, fatkeqësisht, të tradhton sistemi dhe jo njeriu”, shprehet burimi.

SPAK ka ku ta nisë punën, që nga llogaritë e paidentifikuara të zbuluara prej KLSH-së, te historiku i ndërhyrjeve në aplikime, urdhrat për pezullimin e veprimeve kadastrale dhe identifikimi i përfituesve të mundshëm.

Redi Curri, i cili prej vitesh drejton strukturat e regjistrave dhe të digjitalizimit të pronave, duhet të japë llogari për atë që ndodh nën administrimin e tij, ndërsa SPAK ka për të zbuluar nëse është hedhur grepi, kush e ka hedhur dhe kush ka përfituar nga “peshkimi” në Kadastër. /Pamfleti

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *