Oerd Bylykbashi ka njoftuar se ka dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, duke e cilësuar këtë si një hap në funksion të përtëritjes dhe zgjerimit të forcave të partisë.

Lajmin e bëri të ditur gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e Partisë Demokratike në Durrës, ku zbuloi se vendimin ia kishte komunikuar kryetarit të partisë, Sali Berisha, rreth një javë më parë.

Bylykbashi deklaroi se dorëzimi i kësaj detyre është një hap që, sipas tij, do t’i shërbejë ripërtëritjes dhe zgjerimit të forcave të Partisë Demokratike.

Ai i uroi sukses personit që do të marrë drejtimin politik të qarkut të Durrësit, duke theksuar se ndryshimi i funksioneve nuk nënkupton largim nga angazhimi politik dhe beteja e opozitës.

“Marrim një detyrë, e çojmë përpara dhe më pas vjen dikush tjetër për ta vazhduar. I uroj kujtdo që do ta marrë këtë detyrë ta çojë Partinë Demokratike drejt fitores në zgjedhjet që kemi përpara”, deklaroi Bylykbashi, ndërsa theksoi se çdo demokrat duhet të vijojë të kontribuojë për partinë, pavarësisht nëse mban apo jo një funksion drejtues.

“Kjo është hera e fundit që unë ju drejtohem si drejtues politik i qarkut të Durrësit, pasi ia kam dorëzuar këtë detyrë rreth një javë më parë kryetarit të partisë. Sepse mendoj që vetëm në këtë formë ne mund të çojmë përpara përtëritjen e shumëfishimin e forcave tona; marrim një detyrë e çojmë përpara, më pas vjen dikush tjetër e bën. Dhe unë i uroj kujtdo që do e marrë këtë detyrë ta çojë PD drejt fitores në zgjedhjet që kemi përpara.

Kemi vetëm një rrugë! Rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Ne mund të bëjmë çdolloj kompromisi, por kompromis me moralin dhe parimet s’duhet të ketë!

Në 19 vite që kam punuar me doktor Berishën, nëse do të zgjidhja një nga ato leksione të jashtëzakonshme që unë kam marrë ka qenë; qëndroji parimeve pa lëkundje! Dhe në duhet t’u qëndrojmë këtyre parimeve deri në fund, sepse vetëm ato na çojnë më kokën lart drejt fitores. Asnjë kompromis me parimet dhe moralin”, tha Bylykbashi.


Lajmi kryesor:

'Ripërtëritja' në Durrës, Berisha sërish ftesë për bashkim me partitë e tjera: Le të krijojmë frontin për t'i dhënë fund këtij regjimi dhe të hapim rrugën e shpresës