Elon Musk në betejë ligjore për Twitter, kërkon anulimin e vendimit që e shpalli përgjegjës për mashtrim, mund t’i kushtojë miliarda dollarë
Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e së martës, më 24 nëntor, në Eskisehir të Turqisë, ku një helikopter ushtarak është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor, duke shkaktuar vdekjen e pesë ushtarëve që ndodheshin në bord.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë, e cila bëri të ditur se helikopteri i tipit AS-532 Cougar ishte nisur nga Eskisehiri për të zhvilluar një mision stërvitor, por gjatë fluturimit pësoi një aksident.
Fillimisht, ministria njoftoi se ekipet e kërkim-shpëtimit kishin lokalizuar mbetjet e helikopterit dhe kishin nisur operacionet në zonën ku kishte ndodhur rrëzimi. Më vonë u konfirmua se pesë ushtarët që ndodheshin në bord kishin humbur jetën.
Në vendngjarje u angazhuan disa ekipe shpëtimi, ndërsa autoritetet turke pritet të hedhin dritë mbi rrethanat dhe shkaqet që çuan në rrëzimin e mjetit fluturues.
Çfarë dihet për helikopterin AS-532 Cougar?
AS-532 Cougar është një helikopter ushtarak shumëfunksional, me dy motorë, i projektuar për transportin e trupave, evakuimin mjekësor dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ai ka një ekuipazh prej tre personash dhe, në varësi të kushteve të fluturimit, mund të transportojë nga 20 deri në 29 ushtarë të pajisur plotësisht, ose gjashtë persona të plagosur me barela.
Helikopteri mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 249 deri në 282 kilometra në orë dhe ka një rreze veprimi prej rreth 573 kilometrash. Përveç misioneve të transportit, disa versione të tij mund të pajisen edhe me armatime, përfshirë mitralozë, raketahedhës dhe raketa kundër anijeve.
Ky është aksidenti i dytë fatal me një helikopter ushtarak në Turqi brenda një periudhe prej rreth dy javësh.
Më 12 nëntor, një tjetër helikopter ushtarak i tipit S-70 u rrëzua në rajonin Yesilirt, në provincën Malatya. Si pasojë e këtij aksidenti humbën jetën katër ushtarë.
Edhe në atë rast, Ministria turke e Mbrojtjes bëri të ditur se shkaqet e rrëzimit nuk ishin përcaktuar ende.
Top Channel