
Agjencitë e promovimit të investimeve nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë evropianë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe institucioneve ndërkombëtare, u mblodhën në Tiranë në Forumin e WB6 për Promovimin e Investimeve, me temë “Investing in the Western Balkans: Opportunities, Trends and Competitiveness”.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), si mikpritëse e këtij aktiviteti, mirëpriti pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit e vendeve të rajonit, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në promovimin e Ballkanit Perëndimor si një destinacion konkurrues për investime. Forumi u zhvillua me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjet mes ekonomive të rajonit.
Në fjalën e saj hapëse, Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, theksoi se investitorët nuk investojnë thjesht në potencial, por në besimin se ai mund të kthehet në rezultate konkrete. Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të aftësisë së ekonomive të Ballkanit Perëndimor për të ofruar një mjedis të qëndrueshëm dhe konkurrues për investimet.
Perspektiva institucionale u plotësua nga kontributet e Zëvendësministrave të Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani dhe Enkelejd Musabelliu, të cilët trajtuan çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve të favorshme për investime.
Një kontribut të rëndësishëm dha Dr. Ricardo Giucci nga German Economic Team, i cili analizoi rolin e investimeve të huaja direkte (FDI) në zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e rajonit, duke sjellë një panoramë të tendencave globale të investimeve dhe mundësive që ato krijojnë për Ballkanin Perëndimor. Në fokus të prezantimit ishte identifikimi i sektorëve me potencial për të tërhequr investime në secilën prej gjashtë ekonomive.
Diskutimet u përqendruan te konkurrueshmëria rajonale, përafrimi me standardet evropiane, integrimi në zinxhirët e vlerës, shërbimet pas investimit (aftercare). Në fokus ishin gjithashtu sektorët me potencial të lartë zhvillimi, si energjia e rinovueshme, infrastruktura, TIK-u, turizmi i qëndrueshëm dhe bujqësia moderne.




