Policia greke ka zbardhur një pjesë të vrasjes së 52-vjeçarit Nikos Gavanozi, i njohur në qarqet kriminale me nofkën “Papagalli”, i cili u ekzekutua në orët e para të 11 tetorit. Në qendër të hetimeve është një 48-vjeçar nga Saranda, Eduart Qendrothanasi, i cili është identifikuar si drejtuesi i motoçikletës nga e cila u qëllua viktima dhe është shpallur në kërkim.
Sipas hetuesve grekë, dy persona udhëtonin me motoçikletë kur iu afruan Gavanozit, i cili po drejtonte motorin drejt klubit të natës ku punonte si roje sigurie. Ata hapën fillimisht zjarr, duke bërë që 52-vjeçari të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej në rrugë. Më pas, pasi ai ra në tokë, autorët e qëlluan për vdekje.
Policia ka identifikuar Qendrothanasin si njërin prej dy personave që ndodheshin në motoçikletë, ndërsa dyshohet se edhe personi i dytë është shqiptar. Hetuesit kanë përdorur pamjet e kamerave të sigurisë, jo vetëm nga vendi i atentatit, por edhe nga itineraret që ndoqën autorët para dhe pas vrasjes.
Pas ekzekutimit, dy personat u drejtuan drejt Kerateas, ku braktisën motoçikletën në oborrin e një banese të izoluar. Aty i priste një 48-vjeçar grek, i cili është arrestuar në zonën e Agrinios, nën dyshimin se i ka ndihmuar autorët të largoheshin.
Sipas hetimeve, ai i transportoi me një automjet ngjyrë argjendi drejt banesave të punëtorëve në Karea, me qëllim që të largoheshin nga zona pa përdorur motoçikletën e atentatit.
Gjatë marrjes në pyetje, i arrestuari pranoi se kishte ndihmuar dy personat, por pretendoi se nuk e dinte që ata kishin kryer një vrasje. Ai deklaroi se kishte menduar se motoçikleta që i kishin dorëzuar ishte e vjedhur dhe se autorët i kishin kërkuar ta çmontonte. Sipas tij, ata i kishin lënë edhe dy helmetat, ndërsa njërën prej tyre ia kishte dorëzuar një personi të tretë, identitetin e të cilit pretendoi se nuk e dinte.
Hetuesit kanë konstatuar se ai kishte nisur çmontimin e motoçikletës dhe kishte hequr pjesët e saj. Policia greke thotë gjithashtu se 48-vjeçari ka pasur lidhje me grupe kriminale shqiptare dhe se më herët ishte arrestuar në kuadër të një hetimi për trafik droge nga Shqipëria dhe Turqia drejt Greqisë.
E kaluara kriminale e shqiptarit të shpallur në kërkim
Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe me aliasin Stamatis Qendrothanasi, rezulton i kërkuar nga autoritetet greke edhe për një grabitje me armë të ndodhur në vitin 2013 në Mesenia. Gjatë kësaj ngjarjeje, nga një zyrë e shërbimit postar “ELTA” u morën 130 mijë euro.
Për këtë çështje, më 18 dhjetor 2023, oficeri hetues i Kalamatës lëshoi urdhër arresti ndaj tij, i cili u mbajt në fuqi me vendim të kryetarit të Gjykatës së Apelit të Kalamatës më 17 dhjetor 2024.
Në vitin 2025, Qendrothanasi u dënua me 9 vite e 3 muaj burg për tre grabitje dhe armëmbajtje pa leje. Në dosjen e tij përfshihen gjithashtu akuza për pjesëmarrje në grup kriminal, grabitje, gjobëvënie, vjedhje, plagosje të rëndë, kërcënime, fyerje dhe falsifikim, si dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe substancat e ndaluara.
Sipas mediave greke, ai ka qenë mik i ngushtë i Irakli Davellës, një tjetër shtetas nga Saranda, i cili u vra më 15 dhjetor 2024 në Athinë. Në atë atentat mbeti i plagosur edhe 48-vjeçari Etmond Hysa, i njohur me aliasin Edi Lulo.
Emri i Qendrothanasit është lidhur gjithashtu me persona të njohur të botës së krimit në Greqi, si Vasilis Grivas, i njohur si “Bill”, dhe Manoli Karagiani, me nofkën “Karafla”, të cilët janë ekzekutuar vitet e fundit.
Dyshimet për motivin e vrasjes
Një nga pistat kryesore që po hetojnë autoritetet greke lidhet me konfliktet që Gavanozi dyshohet se kishte krijuar për shkak të përfshirjes në tregtinë e drogës në zonat periferike jugore të Athinës gjatë muajve të fundit.
Sipas televizionit publik grek “ERT”, aktiviteti i tij dyshohet se kishte shkaktuar reagime dhe ishte paraprirë nga kërcënime e paralajmërime. Pas vrasjes, policia gjeti një kuti me fishekë në kutinë postare të banesës së viktimës, e cila dyshohet se ishte lënë si mesazh kërcënues.
Kush ishte “Papagalli”
Nikos Gavanozi ishte një emër i njohur për policinë greke për shkak të dyshimeve për përfshirje në grupe kriminale që u ofronin “mbrojtje” klubeve të natës dhe pronarëve të tyre.
Në korrik të vitit 2024, ai u arrestua për përfshirjen e dyshuar në përplasjet jashtë stadiumit “Alexandras”, ku dy persona u plagosën me armë zjarri dhe një tjetër përfundoi në spital pas dhunës fizike. Ngjarja lidhej me një konflikt mes tifozëve të organizuar të “Panathinaikos”, pas të cilit u shoqëruan 74 persona.
Edhe në shtator të vitit 2021, emri i tij ishte përfshirë në një incident me armë zjarri jashtë një shoqate të tifozëve të organizuar të “Panathinaikos”, në zonën e “Alexandras”. Një person mbeti i plagosur nga një plumb në shpinë dhe disa ditë më vonë Gavanozi u arrestua në lidhje me këtë ngjarje. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan dy pistoleta, një shkop metalik, një thikë, një telefon celular dhe një automjet.
Një tjetër episod ku emri i tij u përmend ishte ai i prillit 2018, kur një tifoz i organizuar i “Panathinaikos” u qëllua me armë zjarri pak para ndeshjes së Euroligës mes “Panathinaikos” dhe “Real Madrid”. Sipas mediave greke, i dyshuari për këtë sulm ishte Gavanozi, i cili më vonë u vra në atentatin e tetorit.
Në vitin 2015, ai u arrestua nga Departamenti i Zhvatjes si pjesë e një prej tre grupeve kriminale që vepronin në Athinë dhe dyshohej se shantazhonin pronarë biznesesh, duke u kërkuar para në këmbim të “mbrojtjes”. Në atë operacion u arrestuan gjithsej 21 persona. Sipas akuzës, grupet kishin bashkëpunuar edhe me disa punonjës policie.
Hetimet për vrasjen e 52-vjeçarit vijojnë, ndërsa autoritetet greke po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personit të dytë që dyshohet se mori pjesë në atentat.


