Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) në SHBA zbuluan një ndërhyrje kibernetike në sistemet e tyre, përmes së cilës u ekspozuan disa informacione të paklasifikuara, njoftoi “The New York Times” duke iu referuar zyrtarëve dhe burimeve të njohura me çështjen. Sipas raportimit, ndërhyrja preku një sistem të analizës së inteligjencës me burime të hapura, një rrjet që përdoret për të identifikuar informacion me vlerë për inteligjencën nga materialet publike dhe të paklasifikuara.
Ende nuk është bërë e ditur se cilat informacione janë komprometuar, por burimet thanë se materialet e klasifikuara nuk janë vënë në rrezik. Dy burime pohoi se ekspozimi mund të ketë prekur edhe informacione në agjenci të tjera qeveritare amerikane, ndërsa njëri prej tyre deklaroi se problemi është zgjidhur. Në këtë rast dyshohet se një haker ka siguruar akses të paautorizuar në të paktën një sistem qeveritar, por nuk është bërë e ditur nëse hetuesit kanë identifikuar personin ose grupin përgjegjës.
Teknologjitë e inteligjencës me burime të hapura përdorin sasi të mëdha të dhënash — përfshirë të dhëna tregtare me pagesë, përmbajtje nga rrjetet sociale, imazhe satelitore dhe materiale të tjera në internet — të cilat, kur kombinohen me burime të tjera, mund të zbulojnë detaje të rëndësishme. Agjencitë i përdorin këto të dhëna së bashku me burime të tjera për të ndërtuar analiza dhe vlerësime mbi çështje të ndryshme të sigurisë.
Një zyrtar i ODNI-s deklaroi se incidenti nuk shkaktoi ndërprerje të kapaciteteve kritike, ndërsa CIA nuk pranoi të komentonte. Ky incident ndodh ndërsa disa institucione të tjera amerikane raportuan probleme teknologjike: javën e kaluar Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) përjetoi një ndërprerje disa ditore të rrjetit të brendshëm të klasifikuar, për të cilën zyrtarët dhe bizneset thanë se nuk ishte shkaktuar nga sulme kibernetike. Po ashtu u raportua për ndërhyrje në Qendrën Kombëtare të Informacionit të Krimeve të FBI-së, një bazë të dhënash kombëtare për zbatimin e ligjit. Presidenti Donald Trump komentoi për ndërhyrjen në sistemin e FBI-së, duke thënë: “Do të them se kjo nuk është diçka e mirë, nuk më pëlqen.” Departamenti i Bujqësisë gjithashtu zbuloi një incident që detyroi çaktivizimin e përkohshëm të disa aplikacioneve të brendshme. Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, i emëruar edhe për sigurinë kibernetike, u përpoq të qetësonte publikun duke thënë se incidente të tilla nuk janë të pazakonta. Autoritetet po përpiqen të sqarojnë shtrirjen e ndërhyrjeve dhe mbetet e paqartë kush qëndron pas sulmeve dhe sa të dhëna janë ekspozuar.
