E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Na shpërqendronte”, Klosi zbulon arysen “e pafalshme” që i kushtoi përjashtimin Spiropalit
Lajme

“Na shpërqendronte”, Klosi zbulon arysen “e pafalshme” që i kushtoi përjashtimin Spiropalit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar përjashtimin e Elisa Spiropalit nga forumet drejtuese të partisë, duke dhënë një shpjegim që pritet të nxisë debate.

Sipas tij, kritikat e ish-kryetares së Kuvendit shpërqendronin Partinë Socialiste nga dy objektivat kryesore që ka përpara: integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe gara elektorale e radhës.

Në një intervistë për A2, Klosi argumentoi se PS-ja duhet të përqendrohet te qeverisja dhe shërbimi ndaj qytetarëve, duke shmangur debatet e brendshme që, sipas tij, largojnë vëmendjen nga këto prioritete.

“Vendimi ka të bëjë me vullnetin e forcës sonë politike për të qenë të fokusuar në dy momente shumë të rëndësishme që kemi përpara. Kryesorja është integrimi në BE dhe ky duhet të jetë fokusi i gjithë debatit dhe punës.

Më pas, edhe gara elektorale që kemi pas 5 muajsh. Për një forcë politike të përgjegjshme, e cila kupton se për të realizuar qëllimin e saj më të mirë, atë të shërbesës karshi qytetarëve, për t’ia dalë që të kemi mundësinë t’ju shërbejmë qytetarëve shqiptarë me mënyrën se si ne qeverisim, se si administrojmë pushtetin vendor, kemi të gjithë dëshirën ta vazhdojmë ta ofrojmë këtë shërbim, që për mendimin tonë ka qenë i suksesshëm karshi qytetarëve.

Vota e ka dëshmuar këtë. Ne kërkojmë që të jemi të fokusuar te gara dhe vetëm në kuadër të këtij aspekti, Asambleja Kombëtare, bazuar në statutin tonë të brendshëm, forumet më të larta të partisë mundet të shkarkojnë nga pozicionet drejtuese dhe forumet drejtuese të partisë elementë që vetë statuti apo vetë forumi vendos për t’i larguar”, deklaroi Klosi.

Ai konfirmoi se Elisa Spiropali dhe kolegu tjetër i përjashtuar nuk janë më pjesë e forumeve drejtuese të Partisë Socialiste, ndërsa shtoi se diskutimet që paraprinë vendimmarrjen u zhvilluan me dyer të mbyllura.

“Për sa i përket debatit tonë të brendshëm, ka qenë një debat i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi kemi vendosur që të qeverisim Shqipërinë dhe jo t’u afrojmë qytetarëve shqiptarë se çfarë mendojmë ne brenda për njëri-tjetrin. Do të jetë shumë e udhës që të fokusohemi në këtë aspekt”, shtoi sekretari i Përgjithshëm i PS-së.

I pyetur nëse Spiropalit iu dha mundësia të dëgjohej përpara marrjes së vendimit, Klosi u përgjigj se ajo kishte folur gjatë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare.

“Po, padyshim. Një nga folësit me kohë të gjatë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka qenë Elisa Spiropali”, përfundoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.