Victoria Beckham i dorëzon Brooklyn të drejtat e markës tregtare të emrit të tij, një përpjekje për pajtim pas konfliktit familjar

24/11/2026 22:10

Victoria Beckham ka ndërmarrë një hap që shihet si përpjekje për të riparuar marrëdhëniet me djalin e saj të madh, Brooklyn Beckham, duke i kaluar atij kontrollin e plotë mbi markën tregtare që mban emrin e tij.

Vendimi vjen rreth dhjetë muaj pasi Brooklyn publikoi një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale, ku akuzoi publikisht prindërit e tij dhe foli për konfliktin e thellë që kishte përfshirë familjen Beckham.

Sipas raportimeve, që prej 17 nëntorit, Brooklyn është përfituesi i vetëm i markës tregtare të emrit të tij, e cila ishte regjistruar nga nëna e tij në vitin 2016, kur ai ishte ende i mitur.

Victoria kishte regjistruar emrat e të katër fëmijëve të saj, Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper, si pjesë e një strategjie për të mbrojtur identitetin e tyre nga përdorimi komercial i paautorizuar.

Marka tregtare përfshinte një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, duke filluar nga kozmetika dhe veshjet, deri te artikujt sportivë, programet televizive dhe muzika.

Meqenëse regjistrimi duhej të rinovohej këtë vit, stilistja britanike paraqiti dokumentacionin përkatës pranë Zyrës Britanike të Pronësisë Intelektuale, duke hequr dorë nga kontrolli mbi markën dhe duke ia kaluar atë djalit të saj.

Raportohet se Victoria ka ndërmarrë hapa të ngjashëm edhe për dy djemtë e tjerë, Romeo dhe Cruz, ndërsa Harper, e cila është ende e mitur, nuk është përfshirë në të njëjtën procedurë.

Konflikti për të drejtat e emrit, një nga arsyet e përçarjes familjare

Çështja e kontrollit mbi emrin Brooklyn Beckham ishte një nga pikat e konfliktit mes tij dhe prindërve. Në një postim të gjatë në Instagram, të publikuar në janar, 27-vjeçari akuzoi David dhe Victoria Beckham se kishin vendosur interesat e markës familjare mbi gjithçka tjetër dhe se ishin përpjekur të dëmtonin marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz.

Ai pretendoi gjithashtu se, disa javë përpara dasmës së tyre në vitin 2022, prindërit i kishin ushtruar presion që të hiqte dorë nga të drejtat mbi emrin e tij.

“Disa javë para ditës sonë të madhe, prindërit e mi më ushtruan presion të vazhdueshëm dhe u përpoqën të më korruptonin që të nënshkruaja një dokument për heqjen dorë nga të drejtat mbi emrin tim, gjë që do të ndikonte tek unë, gruaja ime dhe fëmijët tanë të ardhshëm”, kishte deklaruar ai.

Brooklyn pretendoi se refuzimi për të nënshkruar marrëveshjen kishte ndikuar në përfitimet e tij financiare dhe se që prej asaj kohe marrëdhënia me prindërit kishte ndryshuar.

Ndërkohë, Brooklyn dhe Nicola Peltz, të cilët jetojnë në Los Angeles, kanë mbajtur distancë nga familja Beckham, pavarësisht përpjekjeve të David dhe Victoria për të përmirësuar marrëdhëniet.

Brooklyn mund të ndërtojë biznesin e tij me emrin Beckham

Kalimi i të drejtave të markës tregtare i jep Brooklyn mundësinë të përdorë emrin e tij në një gamë më të gjerë aktivitetesh dhe produktesh tregtare, pa pasur nevojë për kontrollin e nënës së tij.

Ai ka krijuar tashmë markën e tij, Cloud23, përmes së cilës tregton salca pikante. Tashmë, mund të zgjerojë aktivitetin edhe në fusha të tjera duke përdorur emrin e tij.

Ndërkohë, emrat e David dhe Victoria Beckham janë regjistruar si marka tregtare prej vitesh. David regjistroi emrin e tij në vitin 2000, ndërsa Victoria e bëri këtë në vitin 2002, në kohën kur po niste karrierën e saj solo në muzikë.

Pasuria e familjes Beckham vlerësohet aktualisht në rreth 673 milionë dollarë, ndërsa pasuria e Nelson Peltz, babait të Nicola Peltz, llogaritet në rreth 1.6 miliardë dollarë.

Megjithëse vendimi i Victoria-s shihet si një gjest pajtimi, mbetet për t’u parë nëse ky hap do të ndihmojë në kapërcimin e përçarjes që prej kohësh ka mbajtur larg njëri-tjetrit Brooklyn dhe pjesën tjetër të familjes.

Top Channel