Pandeli Nakoleci, 41-vjeçari shqiptar që vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, në banesën e tyre në Volos, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Trikala të Greqisë. Krimi i rëndë ndodhi në fund të gushtit 2025, në prani të katër fëmijëve të çiftit.
Sipas mediave greke, procesi gjyqësor nisi të enjten e kaluar dhe përfundoi të hënën, kur gjykata shpalli vendimin. Nakoleci u shpall fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Ai u dënua gjithashtu me një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.
Gjatë procesit gjyqësor, katër fëmijët e çiftit ishin të pranishëm në gjykatë, por nuk u thirrën për të dëshmuar.
Prokuroria argumentoi se 41-vjeçari kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikologjike, verbale dhe fizike ndaj bashkëshortes. Sipas akuzës, vrasja ishte planifikuar dhe ishte kryer me qëllim, ndërsa autori kishte përdorur edhe mashtrimin.
Nga ana tjetër, i pandehuri pretendoi se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se gjendja e tij, së bashku me sjelljen e bashkëshortes, e kishin çuar drejt kryerjes së krimit.
Avokati mbrojtës argumentoi se klienti i tij kishte një çrregullim psikotik dhe se gjendja mendore kishte ndikuar në ngjarje. Ai shtoi se 41-vjeçari vijonte të merrte medikamente edhe gjatë qëndrimit në burg.
Mbrojtja kërkoi njohjen e rrethanave lehtësuese dhe të përgjegjësisë së reduktuar për shkak të problemeve psikiatrike, por prokurori e kundërshtoi këtë kërkesë dhe kërkoi shpalljen e tij fajtor për vrasje me dashje.
Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, rrëzoi pretendimet e mbrojtjes për rrethana lehtësuese dhe vendosi dënimin me burgim të përjetshëm.


