Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, bëri thirrje për forcimin e lidhjeve dhe rritjen e integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e lidhur të ardhmen e përbashkët të dy vendeve me rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për festën e 28 Nëntorit, ajo uroi Shqipërinë për përparimin në procesin e anëtarësimit në BE dhe shprehu dëshirën që flamuri kuq e zi të valëvitet së shpejti edhe në Bruksel.
Në fjalën e saj, Shiroka Pula theksoi rëndësinë historike të 28 Nëntorit, duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, si dhe kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, mes tyre Hasan Prishtina dhe Isa Boletini.
Ajo nënvizoi se flamuri kuq e zi është simbol i shtetit shqiptar dhe i gjithë kombit shqiptar, ndërsa për Kosovën ai përfaqëson edhe qëndresën dhe luftën për çlirim.
Presidentja rikujtoi se 28 Nëntori shënon katër ngjarje me rëndësi të veçantë: Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe theksoi se lufta e UÇK-së ishte një përpjekje për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Shiroka Pula u shpreh se asnjë proces gjyqësor nuk mund të zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo.
Në mesazhin e saj, Presidentja bëri thirrje që flamuri të nderohet përmes punës, dijes dhe përkushtimit, duke ruajtur gjuhën, identitetin dhe kujtesën historike. Ajo theksoi gjithashtu se liria nuk duhet të merret si e mirëqenë, pasi është fryt i sakrificës së brezave që luftuan dhe dhanë jetën.
Në përfundim, ajo përcolli një mesazh për bashkëpunim dhe integrim më të madh mes dy vendeve, me synimin që Shqipëria dhe Kosova të ecin së bashku drejt Evropës.
“Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, deklaroi Presidentja.


