Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka mohuar përfshirjen e Shqipërisë në sulmin ndaj një anijeje ruse pranë brigjeve të Bengazit në Libi, duke hedhur poshtë pretendimet se operacioni mund të jetë kryer nga territori shqiptar. Sipas tij, sulmi u realizua nga Ukraina me dronë ujorë, mjete që Shqipëria nuk i disponon.
Në një intervistë për ABC News, Nufi tha se pretendimet për përfshirjen e vendit tonë janë pjesë e një fushate dezinformimi, e cila është përhapur edhe nga portale turke.
“Shqetësuese ishte lidhja me kryerjen e sulmit nga territori i Shqipërisë. Kjo goditje nga Ukraina është kryer me anë të dronëve ujorë, që Republika e Shqipërisë nuk i posedon. Por edhe nëse do t’i kishim dronët, nuk do të vepronim pa pasur një komunikim me Aleancën. Rrjedhimisht, çdo veprim i tillë i pretenduar ishte lajm i rremë”, deklaroi ministri.
Nufi e cilësoi incidentin pranë Bengazit si një zhvillim të rëndë për flotën ruse, ndërsa paralajmëroi se përshkallëzimi i luftës në Ukrainë mund të ketë pasoja edhe për sigurinë e rajonit.
“Situata në luftën në Ukrainë ka precipituar, pasi stabiliteti në Ukrainë është i lidhur me stabilitetin në rajon. Është një situatë tejet shqetësuese, që nga dita në ditë ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha”, u shpreh ai.
Ministri hodhi poshtë edhe pretendimet për përpjekje të Rusisë që Shqipëria dhe vende të tjera të largohen nga NATO, duke theksuar karakterin mbrojtës të Aleancës.
Duke komentuar incidentet e raportuara në kufirin mes Estonisë dhe Rusisë, Nufi paralajmëroi se edhe ngjarje në dukje të vogla mund të shkaktojnë përshkallëzim të tensioneve ndërkombëtare.
“Incidente të vogla mund të bëhen shkaqe për agravime”, theksoi ai.
Në intervistë, ministri u ndal edhe te kërcënimet hibride dhe ndërthurja e luftës konvencionale me operacionet në hapësirën digjitale, duke rikujtuar sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë në vitin 2022.


