
Papa i ndjerë Françesku kaloi një krizë shpirtërore dyvjeçare, e cila nisi në vitin 2021, kur ndiente tundimin e Djallit dhe përballej me vështirësi lidhur me mënyrën se si duhej ta ushtronte pushtetin mbi Kishën Katolike. Këto detaje zbulohen në një përmbledhje të re të ditarëve të tij privatë, botuar të martën, shkruan Reuters.
Françesku, i cili drejtoi Kishën për 12 vjet deri në vdekjen e tij në prill të vitit 2025, përjetoi vegime të Djallit dhe Ferrit, si dhe luftoi me dëshirën për të mos u shndërruar në një njeri “që i përdor të tjerët si kukulla”, sipas ditarëve dhe komenteve shoqëruese.
Vëllimi nuk specifikon se kë mund të ketë trajtuar papa i ndjerë si kukulla.
“Gjithçka ishte e ndërthurur me çështjet e qeverisjes, presionin lidhur me vendimet që duhej të merreshin, si dhe me thatësinë dhe shkretimin shpirtëror”, thuhet në një shënim të dhjetorit 2022, në të cilin Françesku përshkruan krizën e tij.
I konsideruar si një reformator që u përpoq ta hapte Kishën tradicionale ndaj botës, Françesku u përball me një rezistencë jashtëzakonisht të fortë ndaj papatit të tij nga kardinalët konservatorë, të cilët shqetësoheshin se ai do t’i zbutte mësimet e palëkundura të Kishës.
Kardinali Victor Fernandez, një bashkëpunëtor i afërt i Françeskut, mblodhi ditarët – të parët ditarë të një pape që publikohen për publikun që nga vitet 1960 – dhe i sistemoi në një vëllim, të shoqëruar me komentet e tij.
Papa i ndjerë “më në fund e kuptoi se kjo ishte sprova më e rëndë që e kishte munduar… dhe se ndiente se ndodhej në një betejë të vazhdueshme për të mos rënë pre e këtij joshjeje demonike”, shkroi Fernandez.
“Ditarët privatë të Papa Françeskut” përmbledhin shënimet që Françesku, argjentinasi dhe papa i parë nga Amerika, kishte bërë në një bllok të vogël shënimesh që nga viti 1992.
Ditarët ofrojnë një vështrim të rrallë dhe mbresëlënës mbi besimin dhe përjetimet e brendshme të papës së ndjerë. Shumica e papëve të kohëve të fundit kanë urdhëruar që dokumentet e tyre të digjen pas vdekjes, megjithëse disa dokumente të Gjon Palit II, papë nga viti 1978 deri në vitin 2005, u bënë më vonë publike. Papa i fundit, ditarët e të cilit u botuan pas vdekjes, ishte Gjoni XXIII, i cili ndërroi jetë në vitin 1963.
Fernandez, gjithashtu argjentinas, të cilin Françesku e emëroi në vitin 2023 në krye të dikasterit të fuqishëm të Vatikanit për doktrinën, nuk e paraqet të gjithë ditarin, por përzgjedh fragmente dhe i organizon ato sipas tematikave.
Të përbërë nga 160 faqe, ditarët përmbajnë pak komente të drejtpërdrejta mbi ngjarjet gjatë papatit të Françeskut apo mbi zyrtarët e Vatikanit. Në vend të kësaj, ata përqendrohen te jeta e tij shpirtërore, përfshirë bindjen se kishte parë Djallin dhe hyrjen e Ferrit, si dhe se Zoti i fliste përmes ëndrrave.
Një shënim i janarit 2021, në fillim të krizës shpirtërore që papa i ndjerë e përshkruante vetë, rendit tri raste gjatë jetës së Françeskut kur ai mendonte se kishte parë Djallin, përfshirë një rast kur ishte papë, gjatë një takimi me zyrtarë të Vatikanit.
“Nuk mund ta harroj zërin e tij të fuqishëm dhe të ngjirur”, shkroi Françesku në shënimin për vegimin e mëvonshëm. “Zoti më dha mundësinë të largohesha nga ai takim dhe kështu më çliroi”.
Shënimet e ditarit nisin në dhjetor 1992, kur Françesku i ardhshëm, i njohur në atë kohë si Jorge Mario Bergoglio, ishte peshkop ndihmës në Buenos Aires. Ato vazhdojnë deri në gusht 2024, rreth tetë muaj para vdekjes së tij, në moshën 88-vjeçare.
Duke folur për krizën shpirtërore të Françeskut, Fernandez rrëfen një takim me papën në vitin 2023, kur një peshkop tjetër e pyeti Françeskun përse nuk kishte qortuar një zyrtar të paidentifikuar të Vatikanit, i cili kishte folur publikisht keq për të.
“(Françesku) u përgjigj duke shpjeguar se ndiente një ndjesi të fortë në zemër se Zoti nuk dëshironte që ai të bëhej një kukullbërës, i cili i përdor dhe manipulon njerëzit sipas interesave të veta”, shkruan Fernandez.
Françesku tregoi se kishte parë një vegim të Ferrit në një shënim të qershorit 2018. “Mbrëmë pashë hyrjen e Ferrit”, shkroi ai. “Hodha një vështrim brenda për të parë pak dhe u tmerrova”.
“Rrëmbeva Rruzaren si armë”, shkroi Françesku, duke iu referuar rruazave të lutjes katolike. “E falënderoj Zotin për këtë ndihmë”.
Ditari u referohet drejtpërdrejt edhe disa ngjarjeve të papatit të Françeskut, përfshirë vizitën e tij të kontestuar në Kili në vitin 2018, kur papa i ndjerë u kritikua ashpër për hedhjen poshtë të akuzave për abuzim seksual dhe mbulim të tij nga ana e një peshkopi në atë vend.
Françesku kërkoi më vonë falje dhe thirri peshkopët e vendit në Romë, ku të gjithë ofruan dorëheqjen në një veprim të paprecedentë.
“I shkatërruar nga situata në Kili”, shkroi Françesku në një shënim të vitit 2021. “E pata të vështirë të pranoja atë që ndodhi në Kili; nuk mendoja se ishte kaq serioze”.
Fernandez rrëfen gjithashtu komentet e Françeskut për disa zyrtarë të lartë, përfshirë kardinalin amerikan Robert Prevost, i cili në maj 2025 u zgjodh pasardhësi i Françeskut dhe mori emrin Papa Leoni. Françesku e quajti Prevostin “një bari të madh, një misionar bujar dhe një njeri të pakritikueshëm”, shkruan Fernandez.
Françesku shprehu vlerësime pozitive edhe për kardinalin nga Guinea Robert Sarah dhe kardinalin gjerman Gerhard Muller, dy prej kritikëve të tij më të zëshëm. Sipas Fernandez, ai tha se Sarah kishte “një ndjeshmëri të rafinuar shpirtërore”, ndërsa Muller “duket agresiv, por është njeri i mirë”.
Sa i përket zgjedhjes së tij si papë, Françesku la vetëm një shënim të thjeshtë në korrik 2013, më shumë se katër muaj pasi ishte bërë pontifik. “Më zgjodhën papë më 13 mars”, shkroi ai.